Mburoja e princit apolonas, që luftoi krah Aleksandrit të Madh
Petrika GROSI
Shefi i Laboratorit të Restaurimit dhe Arkeometrisë, Frederik Stamati rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Albania” mbi ecurinë e punës që aktualisht po bëhet për ta sjellë në formën optimale mburojën e rrallë, e cila u zbulua në vitin ’84 në një tumë të Apolonisë dhe i përkiste sipas gjasave një prej prijësave shqiptarë që në atë kohë luftonin krah Aleksandrit të Madh të Maqedonisë në fushatën e tij në Lindje. Për më tepër detaje mbi këtë objekt të veçantë antik, restaurimin, vështirësitë, karakteristikat e ndryshme të punimit, vlerat, historinë dhe koston e tij, prof. Stamati flet në intervistën që vijon.
Prof. Stamati, me çfarë po merreni aktualisht sa i takon punës suaj në Laboratorin e Restaurimit dhe Arkeometrisë?
Në vitin 1984, arkeologu Vangjel Dimo zbuloi një tumë, ku ka qenë varrosur dikush në një arkë prej druri, të mbërrthyer me gozhdë. Brenda në arkivol ishte e vendosur mburoja dhe skeleti i njeriut që patjetër ka qenë posedues i mburojës. Veç kësaj, brenda arkivolit kishte disa enë qeramike dhe njady shpata prej hekuri me laboracione kocke. Në vitin 1992 të gjithë materialet e këtij varri humbën. U hap guri, u futën hajdutët dhe u vodhën. Shpëtoi vetëm kjo mburojë, e cila ndodhej në laborator.
Cila është e veçanta e mburojës dhe a kemi ndonjë informacion se kujt mund t’i përkiste?
I zoti i kësaj mburoje nuk ka qenë një njeri dosido por dikush shumë i rëndësishëm. Duhet të ketë qenë një prijës nga Apolonia, i cili komandonte ushtarët që kanë marrë pjesë në fushatat në Lindje të Aleksandrit të Madh. Megjithatë, këtë duhet ta thonë arkeologët.
Cilët janë elementët që ju shtyjnë të besoni se kjo mburojë i përkiste pikërisht një prijësi që luftonte për Aleksandrin e Madh?
Mburoja është tipike maqedonase. Edhe shpatat, kishin disa pjesë prej kocke, të cilat janë karakteristike për Orientin. Mburoja është ceremoniale dhe jo luftarake. Kuptohet, një mburojë të tillë mund ta mbante vetëm një njeri i rëndësishëm. Mburojat e zakonshme që mbanin luftëtarët ishin të lëmuara, në mënyrë që të rrëshkisnin shigjetat, ndërsa kjo mburojë është me kurrize, relieve, që do të pengonin shigjetat, pra, e papërshtatshme për t’u përdorur në luftë.
ǒmund të themi mbi gjendjen fillestare të këtij objekti, në kohën kur erdhi në laborator?
Mburoja u gjet e sheshtë dhe në laborator ka ardhur e ndarë në 8153 copë. Poshtë pjesës të sipërme prej bronzi (90% bakër, 7% kallaj dhe 3% plumb) ka qenë një shtresë prej druri ku ishte montuar kjo fletë. Të gjitha kanalet dekorative ishin të mbushura me shallak, një lëng që prodhohej nga bimët dhe përdorej që zbukurimet e mburojës të mos deformoheshin.
Me çfarë teknike është punuar kjo mburojë?
Teknika e punimit është shumë interesante. Kanë marrë një fletë prej bronzi, kanë shpuar një brimë në mes dhe e kanë mbërrthyer në një negativ prej druri. Më pas e kanë vijëzuar mburojën duke e gërvishtur, për të krijuar kështu dekoracionet. Duke e rrahur mburojën, ka qëlluar që në shtatë vende bronzi është çarë dhe ata kanë përdorur arne po prej bronzi për ta rregulluar. Pastaj kanë përshtatur një dru në të njëjtën inkubaturë dhe shallakun e kanë vendosur mbi inkubaturën e drunjtë. Ajo është mbërrthyer anash saj me 98 gozhdë. Në qendër të mburojës druri ishte 2,5 cm i trashë, ndërsa në periferi arrinte deri në 0,4 cm. Para se të bëhej montimi i fletës së bronztë mbi dru, janë mbërrthyer disa elementë të tjerë prapa mburojës; një lëkurë, e cila kishte disa ganxha ku kapej dora, pastaj aty kalonte dhe një spango ku mbahej dora. Nuk mungonin dekorimet e bukura të gdhendura. Në qendër të saj, nga pas, mburoja ka pasur edhe një kuti argjendi, në të cilën vendoseshin hajmali apo fletë me shkrime.
Shohim në qendër të mburojës një simbol të veçantë siç është koka e Meduzës. Me çfarë lidhet e gjitha kjo?
Meduza ishte një nga tre motrat gurgon, e cila kishte veti që t’i ngrinte krijesat që e shikonin. Perseu shkoi dhe i preu kokën Meduzës dhe pasi e përdori gjatë luftës, ja dhuroi kokën Athinasë, e cila e mori dhe e vendosi në qendër të mburojës së vet. Vendosja e Meduzës në qendër të mburojës ka ndodhur për këtë shkak. Po ta shikosh Athinanë në skulptura të ndryshme, Meduza do të ndeshet si motiv.
Po për këto rrathët që e zbukurojnë mburojën, ç’mund të themi?
Janë motive të njohura që i gjejmë nëpër gdhëndje. I kam parë të gjitha skulpturat e Shqipërisë në mënyrë që të gjeja si vendoseshin këto rrathë. Ishte një punë shumë e madhe, plot 780 rrugë të ndryshme, që ne menduam dhe i eksperimentuam për të vendosur sesi duhet ta restauronim mburojën. Po të shikosh sërish raportet dekorative ato janë 1:3, madje edhe këndet janë me 120 gradë (360:3) dhe gjithçka vendoset me raportin 3.
A kemi ne apo fqinjët tanë ndonjë mburojë të ngjashme me këtë të zbuluar deri më sot?
Në Shqipëri nuk është gjetur asgjë e ngjashme me këtë mburojë dhe në fillim kemi bërë një punë të madhe për të formëzuar dhe krijuar imazhin e saj. Na kanë dhënë ndihmë gjermanët. Në Mainz më ofruan literaturë të bollshme për të kuptuar mburojat maqedonase. Nuk gjeta asnjë si kjo, megjithatë krijova idenë sesi duhej të ishte. Gjatë gjithë këtyre viteve janë bërë matje, llogari, analiza të ndryshme, studime dhe lexime të librave e skulpturave të ndryshme, për të kuptuar strukturat përbërëse, dekoracionin, mënyrën e punimit etj. Kjo mburojë ka qenë vazhdimisht në vëmendje, ndonëse nuk kam punuar gjatë gjithë kohës vetëm me të pasi laboratori ka edhe objekte të tjera që duhen restauruar. Tashmë janë bërë katër muaj që jam ulur pingul me mburojën dhe dua ta mbyll këtë fazë për të vazhduar me pjesën tjetër të punës.
Pse ju ka marrë kaq shumë kohë restaurimi i këtij objekti që siç më thatë para intervistës, askush nuk guxonte ta merrte përsipër?
Plot 25 vjet kanë kaluar deri tani. Pjesa e sipërme e mburojës po punohet duke e montuar mbi letër me plastelinë. Letra, gjatë kohës së dimrit merr lagështi dhe deformohet, ç’ka e pengon punën. Me të mund të punohet veç gjatë kohës së verës kur ka thatësi. Kam bërë konsulta për restaurimin e mburojës me gjermanë, anglezë, grekë, belgë dhe ju është kërkuar gjermanëve që ta merrnin përsipër restaurimin por ata u tërhoqën. Janë vite të tëra punë dhe kostoja e restaurimit të mburojës është shumë e lartë. Llogaris që kur të ketë mbaruar puna me mburojën kostoja e saj do të jetë mbi 50 mijë euro.
Kur mendoni se do të përmbyllet puna me mburojën?
Nuk mund të caktoj një afat por di t’ju them se do të kam shumë nevojë për një ndihmës në mënyrë që të mos i bëj vetë edhe punët e vogla, të dorës së dytë dhe të merrem me diçka më të specializuar, ndërkohë që ndihmësi do të kaliste durimin dhe do të mësonte duke u praktikuar. Përveç kësaj, edhe kostoja e mburojës, në këtë mënyrë do të ulej dhe unë do të kisha mundësi që të merresha më tepër me punë të tjera shumë më specifike. Në këtë laborator duhet të ishin 25 punonjës por jemi vetëm dy vetë.
26 Gusht 2009