E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulimet e reja të Adrianopolit drejt restaurimit



Zbulimet e reja të gjetura në qytezën antike të Adrianopolit do t'i nënshtrohen së shpejti restaurimit. Sipas Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore pranë MTKRS, zbulimet e fundit të ekspeditës së përbashkët arkeologjike italo-shqiptare u përkasin disa banjave romake të qytetit antik. “Ndërtimet e zbuluara do t`i nënshtrohen së shpejti restaurimit për t'u bërë të vizitueshme. Projekti i restaurimit është duke u hartuar së fundmi dhe pritet të përfundojë brenda vitit 2009. Ky projekt do të realizohet në bazë të një marrëveshjeje që financimi i saj do të jetë i njëjtë si nga pala shqiptare, ashtu dhe ajo italiane”, tha për ATSH-në, drejtori i Trashëgimisë Kulturore, Olsi Lafe.
Projekti i ekspeditës së përbashkët arkeologjike italo-shqiptare ka përfunduar pak ditë më parë në qytetin antik të Adrianopolit, pranë fshatit Sofratikë, në rrethin e Gjirokastrës. Për të tretin vit radhazi ky mision ka kryer gërmime në këtë zonë dhe krahas zbulimit të teatrit, kanë evidentuar dhe ndërtime që u përkasin dy shtresave kulturore të këtij qyteti, shtresës së ndërtimeve të periudhës së perandorit Hadrian dhe një shtresëzimi të dytë më të vonë, që i përket periudhës historike të perandorit Justinian. Ndërtimet e dy shtresëzimeve historike dallojnë prej njëra tjetrës nga teknikat e përdorura në ndërtimin e mureve. Qyteti antik i Adrianopolit ndodhet 350 metra larg rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavijë dhe rruga që të çon në të është në kushte të mira.

26 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›