Mbyll punonjësit në banjë, grabit lokalin me lojëra fati
Mbyll në tualet rojën dhe dy punonjësit e një lokali me lojëra fati dhe më pas grabit arkën. Kështu ka vepruar një person, i cili me maskë dhe me pistoletë ka hyrë në ambientet e lokalit, kur brenda nuk ka pasur asnjeri. Policia dyshon se është një nga personat që ka lënë paratë duke luajtur në kompjuterë, por deri mbrëmë nuk ka arrestuar asnjë. Sipas të dhënave hetimore, ngjarja ndodhi dje, rreth orës 04:30 të mëngjesit në lagjen nr. 6, në rrugën "Llambi Bonata", pranë shkollës "Myslym Keta" në Tiranë. Sipas të dhënave hetimore, një person me maskë ka hyrë brenda lokalit me lojëra fati në pronësi të Sami B., ku ndodhej vetëm roja dhe dy punonjësit. Të tre i ka dërguar në banjë, duke i kyçur brenda. Më pas, nga arka ka marrë 40 mijë lekë dhe është larguar. Punonjësit kanë shqyer derën e banjës dhe më pas kanë njoftuar policinë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur shërbimet e Komisariatit nr. 6, të cilët kanë nisur hetimet paraprake, ndërkohë që vazhdon puna për dokumentimin e plotë të saj në bashkëpunim edhe me seksionin kundër vjedhjeve me armë.