Oketa: Specialet e Forcave të Armatosura, një repart elitë
Përkujtohet në Zall-Herr 10-vjetori i krijimit të BOS-it
Përvjetori i 10-të i krijimit të Batalionit të Operacioneve Speciale të Forcave tona të Armatosura, (BOS), u përkujtua sot me një ceremoni të zhvilluar në Regjimentin Komando në Zall- Herr. Në ceremoni merrnin pjesë ministri i Mbrojtjes, Gazemnd Oketa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, komandanti i Shtabit të NATO-s në Tiranë gjeneral brigade Vasil Dimitrov, atashe ushtarakë, përfaqësues të misioneve ushtarake si ODC, CUBIC, DAKOT, kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve Ilir Rusmaili, etj.
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, duke përshëndetur të pranishmit në këtë përvjetor, theksoi se, “Batalioni i Operacioneve Speciale është një prej reparteve elitë të ushtrisë shqiptare dhe është renditur me dinjitet në këtë pozicion, pasi në këto vite ka pasur një transformim dhe profesionalizëm të gjithanshëm". Sipas Oketës, krijimi, zhvillimi dhe rritja e kapaciteteve operacionale të repartit tuaj, ka qenë pjesë e transformimit të plotë të Forcave tona të Armatosura. Duke vlerësuar rolin e trupave të këtij batalioni edhe në ndihmë të komunitetit, në rreshtin e parë në ndihmën e dhënë në katastrofa natyrore, në raste fatkeqësish apo edhe në operacionet më të vështira ushtarake, Oketa u shpreh se "arritjet e repartit tuaj për të reaguar me shpejtësi ndaj situatave emergjente dhe për të përballuar ngarkesat fizike e psikologjike, të terrenit malor apo fushor, të thellësive nënujore apo të motit të ashpër, janë mbresëlënëse". Duke folur për objektivat për të ardhmen, Kreu i Minstrisë së Mbrojtjes, Gazmend Oketa, deklaroi se, "viti 2010 do t’i gjejë Forcat tona të Armatosura tërësisht profesioniste dhe ju, me strukturat tuaja dhe veçanërisht me këtë përberje, jeni tashmë një pikë referimi për të gjithë ushtarët profesionistë shqiptarë të cilët kërkojnë të arrinë standarde të reja, kërkojnë të qëndrojnë përkrah homologëve të tyre në NATO. Pranverën e ardhshme , pohoi ai, ne presim me optimizëm por dhe me përkushtim maksimal, vendimin për pranimin e Shqipërisë anëtare me të drejta të plota në NATO”. Ceremonia vijoi me dekorimin e disa oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve profesionistë të dalluar me medalje të ndryshme, të cilat iu akorduan nga Ministri i Mbrojtjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së dhe komandanti i Komandës së Bashkuar.
...