Zgjedhjet në parti, Rama mbledh sekretarët
Rama ka kërkuar evidentimin e numrit të saktë të anëtarësisë
TIRANË- Partia Socialiste do të bëjë një evidentim të ri të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të saj në bazë. Fushata zgjedhore për drejtuesit e organizatave ka lindur nevojën për një numër të saktë të anëtarëve të partisë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbledhur dje Sekretariatin Ekzekutiv dhe Kryesinë e grupit parlamentar, për të diskutuar jo vetëm mbi qëndrimet politike, për çështjet që janë në qendër të debatit politikë të ditës, por edhe për problemet organizative në prag të fushatës së zgjedhjeve brenda partisë. Për të pasur zgjedhje të drejta dhe të pranueshme nga të gjithë, kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar nga drejtuesit e tjerë të partisë që të angazhohen me qëllim evidentimin e numrit të saktë të anëtarësisë, të cilët do të jenë dhe votuesit në zgjedhjet që do të zhvillohen në të gjitha qarqet, në tre faza, deri në muajin maj. Megjithëse para pak kohësh, PS ka publikuar një numër anëtarësie prej rreth 89 mijë anëtarësh brena vendit dhe 4 mijë anëtarë që bëjnë jetë partie në degët e Greqisë dhe Italisë, anëtarësimet e reja që janë zhvilluar gjatë muajve fundit kanë bërë të domosdoshëm një regjistrim të ri të anëtarësisë. Ndërkohë që kreu socialist ka kërkuar prej kohësh përpilimin e një tabele elektronike të dhënash me anëtarësinë e partisë. Kjo bëhet më e domosdoshme edhe për faktin se ky është viti paraelektoral për zgjedhjet parlamentare të 2009. Gjithashtu objekt i diskutimeve në takimin e djeshëm ka qenë rakordimi i punëve për të përgatitur strukturat e partisë në bazë, për fillimin e fushatës zgjedhore brenda partisë. Kreu i PS-së ka kërkuar nga sekretarët që të ndërhyjnë për përfundimin sa më parë të mbledhjeve të asambleve socialiste nëpër rrethe. Ndërkohë Rama ka dhënë direktiva edhe për përgatitjet për mbledhjen e tryezave, për të diskutuar në lidhje me produktet e "Dialogut me Shqipërinë" për bujqësinë.