E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet çështja për vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka

Prokuroria e Korçës njoftoi sot se vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka ishte pasojë e një aksidenti rrugor. Duke shpallur përfundimet e  hetimit, prokurori i rrethit të Korçës, Përparim Vukaj  deklaroi pushimin e çështjes .  Zoti Vukaj  tha se krahas administrimit të provave dhe raporteve të ekspertëve ishin pyetur në kuadër të hetimeve edhe mjaft dëshmimtarë. Zoti Vukaj pohoi se të dhënat e dëshmimtarëve ,  që kishin marrë kontakt me viktimën para aksidentit,  pohonin se ai kishte dalë për gjueti dhe nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim. Ndër këto dëshmi Prokurori i Korcës përmendi edhe atë të bashkëshortes së biznesmenit Trebicka,  e cila kishte komunikuar, sipas prokurorit, me telefon disa orë përpara aksidentit  me bashkëshortin.

Prokuroria shqiptare u ndihmua në hetimin e çështjes  së vdekjes së Kosta Trebickës edhe nga një ekspert amerikan. Raporti i ekspertit  Kevin Teter,  dorëzuar autoriteteve shqiptare, fliste për një aksident automobilistik. Kosta Trebicka  u gjet i vdekur mesditën e 12 shtatorit, në aksin rrugor Lekas-Voskopojë të rrethit të Korcës .Trupi i tij i pajetë ishte disa dhjetëra metra larg makinës së tij xhip me të cilën kishte dalë për gjueti. 

Policia e konsideroi vdekjen e tij aksident, kurse Prokuroria kërkoi gjate hetimeve edhe mendimin e një eksperti amerikan për të dalë më pas në një përfundim zyrtar. Konkluzionet zyrtare  u komunikuan  sot nga Prokurori i Korcës , i cili  drejtoi njëkohësisht edhe hetimet. Kosta Trebicka  ishte nje nga deshmitaret kyç te çeshtjes se shitjes se municioneve  shqiptare ne Afganistan . Dëshmitë e tij për afera të paligjshme  në këtë process  ishin bërë të njohura jo vetëm në shtypin qëndror shqiptar,  por edhe atë amerikan.  Vdekja e Kosta Trebickës  shkaktoi kohët e fudnit polemika të ndezura  politike mes qeverisë dhe opozitës në Shqipëri. //iç//

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›