Mbyllet dera për ndërtimin e aeroportit turistik në Sarandë
Trafiku ajror gjatë viteve të fundit ka pësuar një rritje shumë të madhe në vendin tonë, por sërish Shqipëria duket se do të mbetet vetëm me një aeroport. Statistikat zyrtare të qeverisë tregojnë se rritja e trafikut ka qenë shumë e shpejtë midis viteve 2005-2008. Me tej në vitin 2009 pati një vlerë konstante, si pasojë e efekteve të krizës së përgjithshme, dhe një rritje të konsiderueshme në vitin 2010 dhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2011.
Në strategjinë e saj pesëvjeçare qeveria vë theksin në faktin që në Shqipëri nuk ka fluturime të brendshme të programuara. Aktualisht ne kemi operim vetëm Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza të Rinasit. Edhe pse është ndërtuar, Aeroporti i Kukësit nuk është futur në operim. Kjo për faktin që Aeroporti i Rinasit është dhënë me koncesion për 20 vjet së bashku me të drejtën për të kryer fluturime ndërkombëtare.
Në strategjinë pesëvjeçare qeveria vë re se Saranda shihet si një qendër e ardhshme me shumë vlera për turizmin në Shqipëri. Por, kostoja për ndërtimin e një aeroporti green field (pra pa asnjë strukturë të mëparshme) në përputhje me standardet e ICAO-s për vëllime të ulëta trafiku do të jetë e lartë. Në lidhje me këtë rekomandohet që qeveria dhe PAT (koncesioneri i TIA) do të duhet të rishikojnë klauzolat e Marrëveshjes së kocesionit, pra të bien dakord për të lejuar këtë aeroport që të zhvillohet nëse vetë koncesionari nuk është e interesuar për këtë,- thuhet në Planin Kombëtar të Transportit.
Hapi tjetër që duhet të kryhet për të pasur një aeroport në Sarandë është studimi i fizibiliteti dhe masterplani për këtë strukturë. Në përfundim të studimit për aeroportet, qeveria shënon: PKT2 nuk rekomandon asnjë ndërtim aeroporti tjetër për momentin. Këtë shënim ekspertët e qeverisë e kanë vënë bazuar në situatën financiare dhe faktin që nuk mund të ndryshojnë marrëveshjen koncesionare që kanë për fluturimet ndërkombëtare në Shqipëri.
Duke analizuar situatën në lidhje me Aeroportin e Sarandës, qeveria shkruan në strategjinë e saj: Një problem me marrëveshjen e koncesionit është se i jep koncesionerit monopolin mbi trafikun ndërkombëtar, gjë që vepron si një pengesë për zhvillimin e aeroporteve më të vegjël me shërbime ndërkombëtare, si ai i Kukësit dhe potencialisht, ai i Sarandës, me qëllim që ti shërbehet rritjes së turizmit në Shqipërinë e Jugut.
Por nga ana tjetër Saranda po përdoret si trampolinë për fluturimet turistike janë vendit pasi shumë shqiptarë udhëtojnë deri në Sarandë e më pas kalojnë në Korfuz nga ku mund të gjejnë oferta shumë më të favorshme për fluturimet jashtë vendit.
Rruga e Kombit zhduku aeroportin e Kukësit
Një situatë absurde paraqitet në Aeroportin e Kukësit, i cili edhe pse është ndërtuar, nuk është vënë kurrë në përdorim dhe tashmë po shpenzojmë para për mirëmbajtjen e tij. Në strategjinë e qeverisë shënohet se rruga e re Durrës-Kukës e ka nxjerrë tërësisht jashtë loje aeroportin për të cilin u shpenzuan miliarda lekë.
Infrastruktura bazë në aeroportin e Kukësit u përfundua në 2005-ën dhe pajisjet navigacionale u instaluan në 2007-ën. Ky projekt u financua përmes një grandi të dhënë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u ndërtua me idenë për të ndihmuar popullatën e madhe refugjate që ikte nga Kosova gjatë periudhës së konfliktit.
Mbarimi i konflikteve të armatosura dhe përfundimi, kohët e fundit, i autostradës Milot-Kukës-Morinë, ka ulur nevojën imediate për këtë aeroport. Në këto kushte deri sa të gjendet një zgjidhje afatgjate, qeveria duhet të financojë mirëmbajtjen e tij. Aeroporti i Kukësit duhet të zhvillohet si një aeroport i vogël aviacioni civil në Shqipërinë e Veriut,- thuhet në strategjinë e qeverisë.
Sipas saj, këto lloje operimesh nuk do të shkelnin marrëveshjet PPP midis partnerëve të aeroportit të Tiranës dhe Qeverisë së Shqipërisë. Dhe, edhe nëse do të rishikohen klauzolat e marrëveshjes, operimi dhe mirëmbajtja e këtij aeroporti mund ti transferohen një operatori privat.