Shoqata e Hidrokarbureve: Qeveria përgjegjëse për çmimin e karburanteve
Një taksë e re për mirëmbajtjen e rrugëve parashikohet të vilet përmes karburanteve, që do të sjellë automatikisht rritjen e çmimit të tyre. Drejtori i “Bisness Albania”, Bardhi Sejdarasi, është shprehur se qeveria po harton një projektligj për sanksionimin e tarifës së re. Sejdarasi është shprehur për mediat se tregu i hidrokarbureve nuk është një zyrë tatimesh, pasi vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit taksa vendore dhe tri taksa të tjera të qarkullimit të makinave paguhen përmes blerjes së naftës dhe benzinës. Përgatitja e draftit është paralajmëruar edhe në vendimin e qeverisë të publikuar në Fletoren zyrtare, për rishikimin e Planit Kombëtar të Transporteve. “Rritja e çmimit të karburanteve nuk ka lidhje me ndonjë politikë të re çmimesh të kompanive që importojnë dhe tregtojnë karburante. Ajo është rrjedhojë e administrimit fiskal shqiptar dhe e faktorëve të tjerë, jashtë kompanive të biznesit”, shpjegoi drejtori i Përgjithshëm i “Bisness Albania”, Bardhi Sejdarasi, në emër të Shoqatës së Hidrokarbureve. Sejdarasi siguroi se rritja e çmimit, e pasqyruar në tabelat e shitjes të shoqërive me pakicë, nuk ka asnjë ndikim në financat e kompanive dhe se nuk shton asnjë për qind fitimin e tyre, pasi ajo arkëtohet ashtu siç grumbullohet gjatë shitjes.