E Diel, 1 Nëntor 2026

Afati i AKKP-së, pronarët: Koha smjafton, janë edhe 8 mijë dosje

Emirjon Senja

Qeveria po përgatit të shtyjë afatin ligjor të funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të vijuar me shqyrtimin dosjeve të pronës. Edhe pse një nismë e tillë vjen në favor të pronarëve, ajo shihet me skepticizëm nga ana e tyre, dyshim i cili lidhet me punën e bërë deri më tani sipas tyre nga AKKP-ja. Agim Toro, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Pronësi me Drejtësi reagoi dje pas intervistës së kreut të AKKP-së, Elvis Çefa në gazetën Shekulli, në të cilën paralajmëroi edhe shtyrjen e afatit të punës së kësaj agjencie.

Aktualisht, AKKP-së i ka përfunduar afati ligjor për të marrë vendime në themel në drejtim të njohjes së të drejtës së pronës, por agjencia vijon punën e saj normalisht me shqyrtimin e dosjeve.

Sipas Toros qeveria më parë duhet të bëjë bilancin se çfarë ka shkuar keq deri më tani që pengoi shqyrtimin e mijëra dosjeve me probleme pronësie dhe më pas të shohë mundësinë për shtyrjen e afatit. Shtyrja për një vit e afatit të AKKP-së, është një absurditet nga ana e qeverisë. Fillimisht duhen analizuar shkaqet se përse nuk janë zgjidhur çështjet e dërguara deri më tani pranë AKKP-së dhe më pas të vendoset shtyrja. Nëse nuk bëhet kjo, atëherë edhe vitin tjetër do të jemi në të njëjtën situatë. Janë 8 mijë dosje që presin të merret vendimi, kemi tre vjet që e presim atë vendim, – tha Toro.

Sipas tij, tre janë arsyet se përse është zvarritur deri më tani shqyrtimi i dosjeve të dorëzuara pranë zyrave të AKKP-së. Para lidhet me burokracitë dhe vonesat që hasin pronarët në zyrat e agjencisë. E dyta ka të bëjë me kapacitetet përpunuese të agjencisë, e cila sipas Toros ka një staf të vogël dhe nuk mund të menaxhojë fizikisht të gjitha problemet dhe pretendimet e pronarëve. Për të shqyrtuar një çështje duhet shkuarja fizikisht e specialisteve të AKKP-së në një zonë të caktuar, gjë e cila është e pamundur për vetë stafin e shkurtuar që ka agjencia, – shprehet ai.

Një ndër çështjet që i bën edhe më tepër pesimist pronarët për marrjen e një vendimi për dosjet e dorëzuara është edhe fondi i ulët që sipas tyre i ka caktuar qeveria AKKP-së. Shoh që edhe këtë vit është i njëjti fond për agjencinë, çka tregon se ajo nuk mund të bëjë shtesë stafi që do të mundësonte përmbylljen e dosjeve të dorëzuara në kohë, – vijoi ai duke shtuar në listën e penguesve të shqyrtimit të dosjeve të dorëzuara edhe hipotekat, të cilat sipas tij vonohen në dhënien e informacionit të kërkuar nga ana e pronarëve.

Pasi të dalë nga Ministria e Drejtësisë, drafti për shtyrjen e afatit të funksionimit të AKKP-së do të duhet të kalojë për miratim në mbledhje qeverie, ndërsa më pas të shqyrtohet në Komisionet Parlamentare. Pas votimit të seancë plenare do të nevojiten të paktën edhe 3 javë kohë deri në hyrjen në fuqi të tij. Që AKKP të marrë sërish të drejtën për të shqyrtuar çështjet e pronës në themel do të duhen të paktën edhe një muaj e gjysmë kohë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›