The Guardian: Shqipëria në 10 vendet për t’u vizituar më 2012-ën
Britania rendit Shqipërinë në listën e 10 vendeve më të bukura për t’u vizituar përgjatë vitit 2012. Kryeqytetin e Austrisë,Vjenën, Bostonin, Italinë dhe Suedinë i pason Shqipëria, si një rekomandim cilësor nga ana e gazetës britanike “The Guardian” për t’u vizituar si vend turistik. Shqipëria rekomandohet për britanikët jo vetëm për bukuritë natyrore, por kryesisht për vlerat arkeologjike, historike dhe kulturore. Gazeta citon se Butrinti në zemër të parkut kombëtar dhe rrënojave të qytetit romak 2500-vjeçar është një nga qendrat më të mëdha arkeologjike europiane, me një tempull të mrekullueshëm greko-romak. “The Guardian” thekson se Butrinti është pjesë e trashëgimisë botërore që tashmë është nën kujdesin e UNESCO-s. Ndërsa një vit më parë, prestigjiozja ‘Lonely Planet” e rendiste në vend të parë ndër 10 vendet më të mira për t’u vizituar më 2011, “The guardian” e liston vendin tonë po në dhjetëshen më të mirë, si vendi që do të intrigojë turistët e huaj për të kaluar pushimet e verës.