E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksat, shitësit abuzojnë me çmimin e karburantit. Mungon Enti Rregullator

SHKRUAN: Sabina Veizaj 09-01-2012 18:18

Tregtarët e karburanteve që kur mësuan se do të hynte në fuqi ligji i ri për automjetet dhe taksat vendore, i cili parashikonte taksimin e karburanteve, ata kanë rritur menjëherë çmimet. Si nafta, ashtu edhe benzina kanë njohur rritje prej 2-3 lekësh për litër, si përpara ashtu edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit. Ndërsa ngritja e mundshme e Entit Rregullator të Hidrokarbureve ka mbetur thjesht një debat i harruar

Mentaliteti i tregtarëve tanë është në avangardë. Sapo mësojnë për ndonjë taksë të mundshme, e cila parashikohet prej ndonjë projektligji që do të shkojë në Kuvend, dhe i pamiratuar ende, tregtarët rrisin automatikisht çmimet. Kjo ndodh me rritjen e akcizës së cigareve, kjo po ndodh edhe me karburantet. Nga vëzhgimet e herëpashershme të gazetës MAPO në tregjet e kryeqytetit është vënë re se çmimet e naftës dhe benzinës janë rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë muajit dhjetor, të argumentuara nga tregtarët me efektet e bursës ndërkombëtare në tregun e brendshëm dhe ligjit të ri të automjeteve. Ndërkohë që ligji i ri i automjeteve do të hynte në fuqi më 1 janar të 2012-ës. Tregtarët, përveçse e kanë shitur karburantin me çmime të rritura që prej dhjetorit, kishin bërë gati tabelat me çmimet e reja që më 1 janar të këtij viti për të ndërgjegjësuar qytetarët për to. Nga vëzhgimi i gazetës MAPO ditën e djeshme, rezulton se nafta është shitur mesatarisht 182 lekë për litër dhe benzina 184 lekë për litër. Por në pika të veçanta karburanti, që i përkasin kompanive të ndryshme, nafta tregtohej edhe me 185 lekë, kurse benzina deri në 187, 188 lekë. Në këto pika abuzuese tej kufijve, nuk reklamohen çmimet reale. Kështu që qytetarët shqiptarë, menjëherë pas shpenzimeve për festat e fundvitit, që në ditën e parë të daljes në punë, e kanë gjetur veten përballë shpenzimeve të paparashikuara, duke shpenzuar për një litër karburant 2-3 lekë, në raste të caktuara edhe 5-6 lekë më shumë. Argumentet që janë përdorur nga tregtarët ishin sërish taksat e reja që mbahen në karburant dhe rritja e dollarit në tregun ndërkombëtar, i cili është reflektuar menjëherë në tregun e brendshëm të këmbimit valutor. Që prej datës 1 janar ka hyrë në fuqi ligji që parashikon taksën e re të qarkullimit mbi karburantet në masën 2,4 lekë për litër me TVSH. Duke iu referuar ligjit, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin është 5 lekë/litër deri më 31.12.2011; pas kësaj date, taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin bëhet 7 lekë/litër. Kjo taksë zbatohet si për benzinën e gazoilin e importuar, ashtu edhe për atë të prodhuar në vend. Për benzinën dhe gazoilin e importuar, importuesi e paguan taksën e qarkullimit pranë degëve doganore ku është duke kryer procedurat e zhdoganimit. Por tregtarët, pavarësisht kësaj, duhet të mbanin rezerva dhe të rrisnin çmimet për produktin e ri të importuar. Megjithatë, edhe po të supozonim se ata do të zbatonin taksat e reja, ata sërish abuzojnë me çmimet.

ERH, debat i harruar

Në një kohë kur konsumatori i energjisë elektrike ka një Ent Rregullator, me një legjislacion që përcakton rregullat e tregut dhe ndëshkon abuzimet me çmimet ku mund të drejtohet, konsumatori i karburantit nuk ka një institucion të tillë. Debati për ngritjen e mundshme të një Enti Rregullator të Hidrokarbureve daton që në vitin 2009. Ishin bizneset, të nxitur nga vendimet e asaj kohe të Autoritetit të Konkurrencës për mungesë transparence në tregun e karburanteve, si dhe privatizimi i ARMO-s, që solli propozimin nga ana e tyre për një ERH të mundshëm. Konfindustria e kishte paraqitur më herët idenë e krijimit të entit rregullator të pavarur për monitorimin e tregut të karburanteve. Gjergj Buxhuku propozoi në atë kohë që struktura e re të pozicionohet si zyrë pranë Entit Rregullator të Energjisë Elektrike. Por iniciativa ka mbetur një debat i harruar. Asgjë konkrete nuk ka lëvizur që atëherë. Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Sokol Ramadani, i kontaktuar nga gazeta MAPO deklaroi se nuk ka asnjë nismë apo projekt konkret për ngritjen e mundshme të një strukture të tillë brenda ERE-s. Sipas tij, ERE ka në kompetencë gazin e lëngshëm, por flitet për projektet që do të vijnë.

Taksat që mblidhen nga karburantet

TVSH në nivelin 20%

Akcizë 37 lekë litër

Taksë karboni 3 lekë/litër nafta

1.5 lekë/litër benzina

Taksë qarkullimi 7 lekë/litër

Tatim fitimi 10%

Plus taksa të tjera vendore

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›