E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllet farsa në PS - Edvini konkurron statistikat e Enverit, për Maqon faturon statistikë njëshifrore

Ashtu siç edhe ndodhte në zgjedhjet e përgjithshme në kohën e regjimit komunist, ku Partia e Punës diktonte rezultatin dhe fitonte me mbi 90 për qind të votave, është përsëritur edhe tani në kohët moderne nga pasardhësja e partisë diktatoriale, Partia Socialiste. Kësisoj, mbyllet edhe farsa e radhës në PS, lidhur me zgjedhjet në parti, për të zgjedhur kreun e ri. Në vijim të hulumtimeve dhe zbardhjes së uzurpimit të egër që Edvini u kishte bërë organizatave të partisë në bazë, duke paralajmëruar një fitore të thellë për vetë dhe vetëm një vlerë njëshifrore për rivalin e tij, Maqo Lakrori, dje u finalizua i gjithë falsiteti me një fitore prej 93 për qind të Edi Ramës.
Kjo fitore nuk ishte shprehja e vullnetit të socialistëve, por dhunimi i të drejtës së tyre, për të votuar dhe zgjedhur kreun e ri, por në mes të një katrahure kandidatësh, Edvini përsëri ndjente rrezik dhe ndaj mëshoi në bazë shpurën e tij, për të kërcënuar socialistët e thjeshtë.
Siç edhe kishte paralajmëruar gazeta “55”, Edvini kishte ruajtur për “rivalin” e tij veç një statistikë njëshifrore. Aq i duhej për të mbajtur në këmbë farsën, por edhe për t’i ulur pazarin Maqos, i cili s’mund t’i kërkojë shumë gjëra, pas përfundimit të farsës.
Selia e PS-së publikoi dje në mesditë, dhënat që ajo i quan “rezultatet paraprake për kryetarin e ri”.
Të dhënat nga 20 rrethe në vend nga Komisioni i Zgjedhjeve në PS, thuhet në raportimin zyrtar për farsën e “një anëtar - një votë”, tregojnë se kandidati për kryetar Edi Rama kryeson me 93 për qind të votave. Kandidati përballe tij, Maqo Lakrori mori vetëm 6.7 për qind të votave të anëtarëve socialistë në shkallë vendi.
Komisioni i Zgjedhjeve në PS bëri të ditur gjithashtu se pjesëmarrja në votim ka qenë e kënaqshme, plot 65 për qind.
Vlen për t’u përmendur se e dhëna e pjesëmarrjes u publikua dy net më parë, sapo u mbyll orari zyrtar, duke konfirmuar se shifra kishte qenë e paracaktuar dhe s’do të lejohej të përdorej nga rivalët e vërtetë të Edvinit në PS, të cilët kishin bërë thirrje për ta bojkotuar farsën që do të sanksiononte uzurpimin e së majtës nga ana e Edvinit dhe e ylberistëve të tij në PSD, PDS apo G99.

Edvini faturon tek mazhoranca edhe përgjegjësitë e një procesi të dështuar zgjedhjesh në partinë e tij

Kryesocialisti në detyrë Edi Rama, pasi dhunoi dhe përdhosi në tërësi votimin e të shtunës, për kreun e ri të PS dhe në kushtet kur edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë po vinin re se si po dhunohej demokracia partiake, Edvini doli në media dhe akuzoi kryeministrin Berisha, ministrin e Jashtëm Meta dhe ish kryesocialistin Nano, se tentuan t’i prishin zgjedhjet në parti.
Absurditizmi i Edvinit nuk ka të sosur dhe përpos shpërfytyrimit total që i bëri vullnetit të socialistëve në të drejtën e tyre demokratike, për të zgjedhur, pavarësisht se ishte një proces fals, ia faturon dështimin që ai vetë investoi, 3 përfaqësuesve të idealeve të vërtëta demokratike, Berishës, Metës dhe Nanos.
“Unë mendoj se ky është një proces real, ku i jepet mundësia të gjithë anëtarësisë socialiste të zgjedhë në mënyrë të drejtpërdrejt kreun e tyre. Votimi i sotëm është dhe pengesa më e madhe për aleancat Berisha-Meta-Nano që tentuan ta përbaltin atë. Berisha, Meta e Nano kanë bërë çmos të përbaltin dhe përçmojnë këtë proces”, u shpreh Edvini.
Sipas Ramës votimi për kreun e PS-së tregon se PS-ja është forca më e madhe politike dhe më demokratike në vend. Rama e konsideroi votimin për kreun e partisë, momentin më të rëndësishëm për një parti politike.
Ndërkaq, nga ana tjetër, Ben Blushi dhe katër deputetët që nuk e quajtën të denjë këtë proces votimi, e bojkotuan së bashku me votimin edhe deklaratat publike, por vëzhgimi konfirmon një injorim të kësaj farse nga ana e shumicës së anëtarësisë socialiste, por edhe nga vetë opinioni publik shqiptar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›