E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet faza e emergjencës në fshatin Gërdec

Mbyllet faza e emergjencës në fshatin
Gërdec të Vorës, ndërkohë që dy
familje presin për identifikimin e të vetmes
viktimës që ka mbetur në morgun e
Tiranës. Mbyllja e fazës së parë të operacionit
të emergjencës është deklaruar nga
Xhevahir Zeneli, komandant i grupit të
punës për operacionin e kërkimshpëtimit,
i ngritur pas tragjedisë së Gërdecit.
Sipas komandantit të ushtrisë, në
zonën ku ndodhi shpërthimi do të vazhdojë
puna edhe për pastrimin e tokës nga
inertet. Tre grupe pune do të vazhdojnë
kontrollet në vendin ku ndodhej fabrika e
çmontimit të predhave. Gjithashtu, po
punohet edhe për ndërtimin e rrugës së
shkatërruar të fshatit, në mënyrë që banorët
të kthehen nga mesi i javës së ardhshme.
Në dispozicion të tyre, grupi i
emergjencës ka vënë edhe numrin e telefonit
04228250. Komandanti i grupi të
emergjencës ka dalë dje në një deklaratë
për median, ku është shprehur se 15 ditë
pas fillimit të operacionit që nga çasti i
shpërthimit në Gërdec, dje u konsiderua
mbyllja e fazës së emergjencës. Komandant
Zeneli thekson se ditën e hënë dhe
të martë do të bëhet i mundur një kontroll
tjetër i terrenit, sidomos në ato zona
të pyllëzuara dhe atje ku dendësia e popullsisë
është më e madhe. Trupat e specializuara
të asgjësimit të municioneve po
punojnë edhe në gjetjen e trupit tjetër të
mbetur nën rrënoja. Sipas të dhënave, trupi
i pajetë, i cili u gjend pranë vatrës ku
ndodhi shpërthimi dhe aktualisht ndodhet
në morgun e Tiranës, ende nuk është
identifikuar nga familjarët.
Rezultatet e analizave të ADN-së pritet
të identifikojnë trupin e pajetë që u gjet tri
ditë më parë në kraterin e shpërthimit në
Gërdec. Viktima, e cila nuk mund të identifikohet
nga shkalla e dëmtimeve, u gjet
nga trupat xheniere. Sipas ekspertëve të
Mjekësisë Ligjore mendohet se trupi i
nxjerrë nga krateri është i një femre të
moshës 25-30 vjeçe, që duhet të ketë qenë
punonjëse në punishten e çmontimit të
municioneve. Deri në identifikimin e
trupit të pajetë, në ankth janë familjet Alhasa
dhe Leti, të cilat kanë denoncuar
humbjen e vajzave të tyre. Familjarët e 25-
vjeçares Alhasa kanë kërkuar të mësojnë
për fatin e vajzës së tyre, ashtu si edhe
familja Leti kërkon vajzën 19-vjeçare,
Zilien, e cila gjendej në punishte gjatë momentit
të shpërthimit. Pas denoncimit të
këtyre dy familjeve, trupat e kërkimit rinisën
operacionin për gjetjen e trupave.
Nga ana tjetër, burime zyrtare pranë
Mjekësisë Ligjore bëjnë të ditur se në
morg ndodhet vetëm një trup i pajetë, që
është ende i paidentifikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›