E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Mungon transparenca për ndihmat. Qeveria: PS le të hetojë

Përplasje deklaratash mes opozitës dhe qeverisë për transparencën e ndihmave për viktimat e Gërdecin. Për polemikën më të fundit, ka shërbyer një deklaratë e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, me të strehuarit e tragjedisë në konvaleshencën e Durrësit, që të shkaktojë reagimin e qeverisë shqiptare.

Kryetari socialist, Edi Rama, gjatë një vizite të zhvilluar dje në shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në Durrës ngriti shqetësimin për mungesën e plotë të transparencës nga ana e qeverisë, në administrimin e këtyre kontributeve të solidaritetit qytetar, të cilat nuk janë shpërndarë në mënyrë të plotë te njerëzit në nevojë, por vetëm po shërbejnë për të mbushur xhepat e buxhetit të qeverisë. Gjatë takimit me banorët, Rama u theksoi se "është e patolerueshme që qeveria kërkon të mbushë xhepat e buxhetit me fondet e dhuruara nga qytetarët, organizatat, miqtë për viktimat dhe të mbijetuarit e tragjedisë. Këto fonde dhe këto ndihma janë të solidaritetit qytetar me viktimat dhe të mbijetuarit. Nuk janë ndihma për qeverinë, e cila është përgjegjëse e fajtore dhe që nuk mund ta përdorë në mënyrë kaq cinike këtë solidaritet, duke marrë nga njëra anë taksat dhe kontributet e qytetarëve për buxhetin dhe nga ana tjetër, duke futur edhe dhuratat e ndihmat e solidaritetit në buxhet me arsyetimin absurd, se po tejkalohet fondi i emergjencës, i cili është i paqartë, jo transparent, fiktiv, për sa kohë nuk ka një fond të përcaktuar në bazë të të dhënave dhe të kostove". Menjëherë pas deklaratës së liderit të opozitës, ka reaguar ashpër qeveria, me anë të drejtorit të informacionit, Grid Rroji. Zyrtari i Kryeministrisë deklaroi dje pasdite gjatë një konference për shtyp, se "në serialin e akuzave për tragjedinë e Gërdecit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, akuzoi qeverinë për vendimin e saj, i cili vendos transparencë të plotë në fondet e dhuruara për Gërdecin, duke e quajtur atë si një vendim të padrejtë". Në këtë drejtim, Rroji tha se "përpara se të ndërmarrë fushata të tilla shpifjesh dhe trillimesh, z. Rama duhet të ngarkojë grupin e tij parlamentar për të kontrolluar në çdo qindarkë fondin për tragjedinë e Gërdecit dhe shpërndarjen e tij. E ftojmë z. Rama në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës të mobilizojë fonde, donacione dhe dhurata nga bashkia e kryeqytetit për banorët e zonës së Vorës", deklaroi drejtori i informacionit të qeverisë, Grid Rroji. Sipas tij, "qeveria falënderon të gjithë individët, organizatat dhe vendet mike për ndihmën që kanë dhënë". Sipas tij, "përfshirja e kësaj ndihme në fondin e kompensimit të banorëve të zonës së Bashkisë së Vorës ka një qëllim të vetëm, shpërndarjen transparente të tyre për të gjithë banorët dhe jo favorizimin e disave dhe harrimin e të tjerëve".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›