E Shtunë, 31 Tetor 2026

MJAFT!, letër higjienike para Kryeministrisë

Aktivistët e lëvizjes MJAFT! mbuluan një pemë të Kryeministrisë me letër higjienike, në të cilën ishte stampuar fytyra e Sali Berishës. Ata ironizuan kështu "sugjerimin" e Berishës dhënë opozitës në Kuvend, që gazetën "New York Times" ta përdornin si letër higjienike. "Ne ndihemi të fyer nga ky person i papërgjegjshëm, nga fjalori dhe veprimet e tij para dhe pas tragjedisë së Gërdecit", tha Arbër Zaimi, aktivist i lëvizjes MJAFT! "Ne nuk e njohim fare këtë njeri për Kryeministër, i cili nuk ka më cipë e turp, as nga ato që thotë e bën vetë në sytë e gjithë botës", shtoi ai para gazetarëve. Aktivistët e MJAFT! ishin siguruar që të kishte aq shumë letra higjienike me fytyrën e Berishës në to, sa pema ku ata i hodhën u mbulua krejtësisht me to. Disa pjesëtarë të Gardës së Republikës, të veshur me kostum e kollare, e patën më pas tejet të vështirë t‘i hiqnin, duke u kacavjerrë në pemë letrat higjienike, që dalloheshin edhe nga çdo dritarja e Kryeministrisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›