E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: Nuk jam pjesë e aferave të paligjshme

"Pa asnjë hezitim, i bëj me dije opinionit publik se në ngjarjen e Gërdecit nuk kam qenë dhe nuk jam pjesë e asnjë afere, apo veprimi të paligjshëm", kështu është shprehur dy ditë më parë ish-ministri Mediu, pas dorëzimit të detyrës si ministër Mbrojtjeje. Ish-ministri mohoi që për këtë çështje të ketë pasur marrëdhënie private apo institucionale me cilindo nga personat e përfshirë në të, biznesmenë, nëpunës apo përfitues në mënyrë kriminale nga kjo ngjarje. "Nuk do të lejoj askënd të hedhë baltë pa të drejtë mbi dinjitetin tim dhe të familjes sime, pavarësisht se kujt kahu politik i përket. Mirëkuptoj çdo nismë të sinqertë të opinionit publik, të pjesës më të madhe të medias dhe të politikës, për të gjetur dhe evidentuar të vërtetat që lidhen me këtë ngjarje. Por, nuk do të lejoj askënd, kushdo qoftë e me çfarëdolloj statusi, që të përpiqet në mënyrë manipuluese e përmes shpifjesh të tregojë personin tim, si shkaktar ligjor në aksidentin e Gërdecit", u shpreh Mediu. Këto deklarata të tij u bënë gjatë ceremonisë së dorëzimit të detyrës, ministrit të ri të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, i cili para di ditësh bëri betimin para Presidentit të Republikës. Zëvendësimi i kreut republikan, Mediu, erdhi pas dorëheqjes që ky i fundit i paraqiti Kryeministrit Berisha, për shkak të ngjarjes së 15 marsit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›