Subashi: Fletët e votimit mund të jenë objekt hetimi
Aristir Lumezi
Nënkryetarja e KQZ, Dëshira Subashi në një intervistë ekskluzive për "Panorama" bën leximin e saj për situatën politike që ka rrjedhur si mungesë e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas saj, Kushtetuta nuk pengon asnjë hetim parlamentar të materialeve zgjedhore. Subashi argumenton pse materialet zgjedhore nuk mund të digjen në këtë situatë.
Zonja Subashi, që prej 10 muajsh kemi një debat rreth transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Si nënkryetare e KQZ, transparenca në këtë moment që diskutohet, është një çështje politike, që kërkon dhe zgjidhje politike, apo një çështje ligjore që duhet zgjidhur brenda kuadrit ligjor?
Prej afro 10 muaj jeta politike në Shqipëri është mbërthyer tek transparenca e zgjedhjeve. E pazakontë në historinë e këtij vendi, por ndoshta e paparë edhe në vende të tjera, për nga shtrirja kohore e kësaj situate politike për zgjedhjet. Në këto ditë, më vjen në kujtesë fushata parazgjedhore, ku personalitete të politikës deklaronin një arritje të standardit, miratimin e Kodit Zgjedhor me një konsensus të gjerë. Kodi Zgjedhor garanton transparencën zgjedhore.
Por çfarë ndodhi që kjo transparence mbeti e kontestuar, madje në përmasa të tilla, ku gjendemi sot? është vërtet mangësi e Kodit Zgjedhor mos arritja e një transparence që njëra nga forcat kryesore politike proteston për mungesë transparence?
Këto pyetje kërkojnë një përgjigje. Përgjigja ime është se nuk është mangësi e ligjit zgjedhor, por e një vullneti të forcave politike që janë aktorë të këtij Kodi. Kjo u duk qartë në ditët pas 28 Qershorit gjatë numërimit të votave, e madje edhe më pas. Një rezultat zgjedhor i afërt midis dy forcave kryesore politike, ngriti tensionin politik dhe pa asnjë mëdyshje nuk luftohej më për atë që ishte premtuar, pra për një proces transparent. Për kauzën e transparencës, nuk bëhej më fjalë. Katër kërkesa ankimore të PS, por edhe disa partive të tjera për rinumërim të votave u rrëzuan. E kam deklaruar me kohë, në gjykimin tim, nuk u zbatua një nen i Kodit Zgjedhor, neni 138, pika 3 në të cilin thuhej: "Në rast se kërkesa për rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të caktuara bëhet nga dy anëtarë të KQZ-se, ajo është e detyruar të bëjë rinumërimin dhe/ose rivlerësimin e votave të kërkuara".
çfarë do të sillte procesi i rinumërimit të votave të kërkuara nga partitë? A do të thoshte rinumërimi i votave transparencën e procesit zgjedhor të premtuar nga partitë politike?
Sigurisht që transparenca do t'i shërbente demokracisë në këtë vend dhe padyshim që do të kishte mbyllur çdo shteg kontestimi të rezultatit zgjedhor dhe nuk do të ishim sot në këtë ditë, as për atë forcë politike që qeveris, as për forcën politike në pozicionin opozitar. Gjate 10 muajve, pa pushim, analistë, gazetarë e opinionistë thonë se procesi ka qenë transparent, se janë ndjekur të gjitha procedurat që parashikon Kodi, se procesi është transparent nga fakti që komisionet zgjedhore kanë në përbërjen e tyre anëtarë të dy forcave politike dhe se dokumentacioni zgjedhor nuk pasqyron asnjë kontestim të tyre. Në dukje të parë, të krijohet imazhi se kjo logjikë është bindëse, por e vërteta ligjore është ndryshe. Fakti që janë konsumuar procedurat ligjore të parashikuara nga Kodi Zgjedhor, nuk e bën transparent vetiu procesin. Procedura është mjeti për të realizuar apo mbyllur transparencën. Fakti që komisionet zgjedhore janë të përbëra nga anëtarë të propozuar nga dy forcat politike, nuk përben argument bindës që procesi është transparent, sepse po të ishte kështu, ligjvënësi nuk do t'i kishte dhënë të drejtë këtyre forcave politike të ankimoheshin ndaj vendimeve të këtyre komisioneve. Mjaftojnë faktet që sjell raporti i misionit të vëzhguesve të OSBE-ODHIR, se 21 qendra të numërimit të votave, persona të paautorizuar kanë ndërhyrë dhe orientuar procesin (faqe 25 e raportit), për të kuptuar apo besuar në një transparencë për shkak të përbërjes politike të komisioneve zgjedhore. Vazhdon raporti i OSBE-ODHIR, në 11 VNV transparenca e numërimit të votave u vlerësua negativisht. Në 28 VNV vëzhguesit e partive politike nuk u lejuan të kontestonin fletët e votimit. Ja pra pse dokumentacioni zgjedhor nuk pasqyron kontestime. Përkundrazi, për shkak të kësaj transparence, ligjvënësi i hetimit administrativ të zgjedhjeve i ka kushtuar një vëmendje të veçantë, të barabartë me mjetet juridike që aplikon një gjykatë. Madje, ndonëse në gjykatë janë vetëm palët ato që duhet të prezantojnë faktet, në një proces ankimi zgjedhor, përveç detyrimit të palëve, ligjvënësi i ka dhënë të drejtë dy anëtarëve të KQZ-së, të kërkojnë marrjen e një prove dhe në ketë rast KQZ është e detyruar të marrë provën e kërkuar nga dy anëtarë.
Por çfarë ka ndodhur në fakt, në nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve të 28 Qershorit?
Edhe ky mekanizëm ligjor, është kërkuar nga dy anëtarë, por KQZ e votoi dhe nuk e pranoi kërkesën e dy anëtarëve, ndonëse Kodi Zgjedhor thotë që është e detyrueshme marrja e provës. Ja që procedurat e ligjit janë zbatuar, por ka qenë e pamundur verifikimi i pretendimeve të ankimuesve ndaj procesit zgjedhor. Por vazhdohet të këmbëngulet në transparencën zgjedhore dhe përsëri thuhet se nuk e lejon Kodi Zgjedhor. Nuk mund të shikohen as materialet zgjedhore sepse po u hapen kutitë, duhet të digjen materialet zgjedhore.
Sa qëndrojnë këto pretendime?
Sigurisht, Kodi Zgjedhor në nenin 178, ekzaktësisht në piken 6, thotë se KQZ pas përfundimit të afatit të ankimit, hap kutitë e votimit, dërgon materialet zgjedhore të përcaktuara në Arkivin Qendror të Shtetit dhe fletët e votimit dhe kundrafletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së.
Jo të gjithë janë në profesion Juristë. Për çdo jurist është fare i qartë një parim themelor i jurisprudencës, qëllimi i ligjit dhe objekti i ligjit. Edhe Kodi Zgjedhor, pa pasur nevojë për ta interpretuar, e ka thënë qartë në nenin 1 të tij. Ky Kod ka për qëllim caktimin e rregullave për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen si dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për në Kuvendin e Shqipërisë, për organet e Qeverisjes vendore dhe referendumet. Sigurisht që këtë objekt e kemi të realizuar. Ne sot kemi një proces të përfunduar.
Po pse atëherë nuk operohet me ketë procedurë fundore të përcaktuar në ligj?
Mediatikisht është thënë se ky veprim do të acaronte situatën politike. Sigurisht që është një gjykim i drejtë, që këto materiale zgjedhore nuk mund të digjen. Ky gjykim nuk duhet konceptuar si frikë e institucioneve nga politika. Përveç qëllimit që ka ky Kod, ka edhe dispozita Kushtetuese për të drejtën e informimit dhe transparencën e veprimtarisë së institucioneve, për qëllimet që japin dispozita të tjera ligjore. Për një hetim institucional, parlamentar, domosdoshmërisht kërkohen dokumentet zgjedhore dhe kjo ka ndodhur. Pas përfundimit të procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Parlamenti ngriti një Komision Hetimor Parlamentar dhe materialet zgjedhore u vunë në dispozicion të këtij Komisioni, me vendimin nr. 1687 datë 18.11.2005 të KQZ-së" për vënien në dispozicion të materialeve zgjedhore të Komisionit Hetimor të Kuvendit". E njëjta Kushtetutë ishte në fuqi, e njëjta dispozitë në Kodin Zgjedhor ishte në fuqi. Madje në ketë kohë kishim edhe vendimin nr.18 datë 14.5.2003 të Gjykatës Kushtetuese, që prej disa muajsh është sjellë si argument që pengon ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar dhe hetimin e zgjedhjeve. Ja pra pse nuk mund të digjen materialet zgjedhore, sepse ndonëse ka përfunduar procesi zgjedhor dhe Kodi Zgjedhor parashikon mënyrën e administrimit të dokumentacionit zgjedhor, do të duhet të respektohen dhe të tjera detyrime, që burojnë nga Kushtetuta dhe ligjet e tjera mbi të cilën funksionojnë institucionet e këtij shteti. Pra, brenda të njëjtit kuadër ligjor, materialet zgjedhore janë nxjerrë nga kutitë nga vetë KQZ, sepse këto materiale u kërkuan nga Komisioni Hetimor Parlamentar.
Po fletët e votimin a janë pengesë për transparencën dhe hetimin e zgjedhjeve?
Pyetja që ju më bëni për fletët e votimit, që mund të jenë objekt i Komisionit të Venecias, do të jepja bindjen time, se edhe fletët e votimit nuk kanë asnjë pengese për të qenë objekt i transparencës. Siç përmenda më sipër, objekti dhe qëllimi i rregullave të Kodit Zgjedhor është shumë e rëndësishme të kuptohet se ka përfunduar. Rezultati zgjedhor ka prodhuar pasojat juridike dhe në asnjë ligj nuk parashikohet një mekanizëm, që verifikimi postzgjedhor të japë efekte të tjera. Efektet e hetimit që bëhen nga një Komision Hetimor Parlamentar, kanë qëllime krejtësisht të tjera, nga qëllimi që ka Kodi Zgjedhor. Kjo është e vërteta në gjykimin tim. E vërteta është e thjeshte në sytë e ligjit. Si gjithë të vertetat e mëdha edhe ajo është fare e thjeshtë. Më drejtpërdrejt, po të ishte bërë transparenca e zgjedhjeve, madje edhe tani po të bëhet transparenca e tyre, Shqipëria do të ishte padyshim më e qetë.