Mbyllet greva në Greqi, Trojka e BE sot në Athinë

Përfundoi mëngjesin e së enjtes greva 48 orëshe në Greqi, nisur që të martën dhe njoftuar nga Sindikata e punonjësve të Ministrisë së Financave. Sipas saj, punonjësit e sektorit janë përballur me uljen më të madhe të pagave që prej fillimit të krizës ekonomike që ka pllakosur Greqinë.
Komunikacioni për hyrjet dhe daljet në Greqi është normalizuar , pas përfundimit të grevës së autoriteteve doganore greke. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke, të cilat kanë konfirmuar se greva e doganierëve që kishte zgjatur për rreth 48 orë ka përfunduar në ora 06.00 të mëngjesit. Kjo ishte greva e dytë e autoriteteve doganore greke brenda një periudhe të shkurtër, që ka shkaktuar probleme dhe kaos në transport dhe lëvizjen e lirë të mallrave.
Greva u zhvillua për shkak të kushteve sociale, shkurtimeve të rrogave dhe rritjes së tatimeve të doganierëve. Ndërkaq Ekspertët europianë të financave të ngarkuar me shqyrtimin e përpjekjeve për reforma dhe kursime të Greqisë së futur thellë në borxhe kthehen sërish në Athinë.
E ashtuquajtura Trojka nga BE, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndërprerë më herët në shtator punën e saj për shkak se qeveria greke po vonohej me zbatimin e programit të kursimeve. Nga vendimi i Trojkës varet nëse Greqia do të marrë në tetor këstin e ardhshëm të kredisë prej tetë miliardë eurosh.