E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, koalicioni i PD-së në avantazh

 

KUKES – Me një përqindje të lartë të PD-së në krahasim me PS-në ka qenë rezultati i kutive të para të votimit në qarkun e Kukësit. Këto të dhëna ishin pas orës 02:00 të mëngjesit, kur dhe nisi votimi. Me përjashtim të problemeve të dala në një qendër votimi në qendër të qytetit të Kukësit, procesi i votimit në gjithë qarkun mund të konsiderohet mundësisht i pranueshëm. Në të gjithë qarkun votimi nisi me probleme të pakta. Ndërkohë që ato u shtuan në momentet kur procesi u fut në rrjedhën e vet. Shpejt në të gjithë këtë qark u vunë re problemet e trashëguara të mënyrës së votimit. Kështu kryesisht në fshatra, sidomos në zona të thella malore, u konstatuan raste kur persona të caktuar tentuan të votonin për gjithë familjen. Ky fenomen erdhi me pasoja në fshatin e thellë Bele të Kukësit, ku për dy orë u bllokua procesi i votimit. Problem tjetër i pranishëm ishte edhe moskorrespondimi i emrave apo mbiemrave të votuesve në listat e zgjedhësve me ato të kartave të identitetit apo pasaportave, një fenomen që do të bllokonte për një kohë të gjatë një qendër votimi në qendër të qytetit të Kukësit. Pamundësia e një numri prej rreth 20 vetash për të votuar, për shkak se emrat apo mbiemrat e tyre krahasuar me listat e zgjedhësve nuk korrespondonin me një shkronjë apo dy të tilla me ato të kartave të identitetit apo pasaportave bllokoi për rreth 3 orë qendrën e votimit 0562 në ambientet e shkollës “Bajram Curri” që gjendet në qendër të qytetit të Kukësit. Komisionerët socialistë ishin ata që bënë bllokimin, duke mos lejuar asnjë nga ky kontingjent të votonte. Kjo solli reaksionin e përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe më tej edhe të KZAZ-së së Kukësit. Kështu që procesi u bllokua në kohën që kishin votuar vetëm 361 persona. KZAZ me anë të një vendimi zyrtar shkarkoi zv/kryetarin e kësaj qendre votimi Azem Elezaj, përfaqësues i PS, ndërkohë që ky nuk pranoi të largohej pa u sjellë një zëvendësues i ligjshëm në vendin e tij.   fe.de

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›