E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet numerimi Basha 95 vota para Rames

Kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha është në avantazh me 95 vota kundrejt rivalit të tij, Edi Rama. Tabelat me rezultatet e 11 njësive bashkiake në Tiranë do të miratohet të premten në KQZ dhe nga procesverbalet e grupeve të numërimit në 6 ditët e fundit kanë dalë 256 vota gjithsej për kandidatin Basha dhe 242 për kandidatin Rama. Mbledhja e KQZ në 6 ditët e fundit është shoqëruar me tensione dhe debate dhe në fund është mbyllur me batuta mes kryetarit Ristani dhe përfaqësuesve të PS-së.

“Besoj se këtu mbyllet ky proces për këtë fazë. Më ngelet vetëm t’ju përshëndes dhe t’ju falenderoj ju përfaqësues të partive politike, vëzhgues të këtyre partive dhe stafin e KQZ-së që bëtë një punë të vështirë, por të shpejtë dhe korrekte. Me këtë falenderim e mbyllim këtu këtë pjesë”-tha Ristani.

Në përfundim të mbledhjes përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj e konsideroi krejt procesin si qesharak, ndërsa zëdhënësi Leonard Olli e cilësoi si transparent dhe të saktë.

“Paraprakisht mund t’ju them, siç e kam thënë edhe në ditët e kaluara, që ishte një proces qesharak, një proces që në çdo pjesë të tij tregoi parregullsitë dhe me keqardhje konstatuam faktin që materiali zgjedhor nën administrimin e KQZ-së u fut në procesin e këtij hetimi të këtij komisioni, i pasigurtë, shpesh herë i deformuar, me probleme të natyrave të ndryshme, ku më tipikja ishte ajo që ju e keni parë dhe të gjithë njerëzit kanë parë, basti i humbur i zotit Ristani për integritetin e një kutie që mishëronte gjithçka ndodhi në komision ku vëzhguesit tanë nxorrën një zarf nga një kuti thuajse e sigurtë sipas përcaktimit të KQZ-së”-tha Gjonçaj.

“Vendimarrja është më transparente sepse është publike. “E saktë”, janë procedurat që ka parashikuar ligji dhe Kodi Zgjedhor. Pra, saktësia me transparencën janë dy elementë të ndryshëm. Saktësia nuk mund të diskutohet në një Komision Qendror të Zgjedhjeve, në institucionin më të lartë të administrimit dhe çertifikimit të zgjedhjeve në vendin tonë, pra në Shqipëri. Nëse dikush mund të ketë paqartësi mund të vijë dhe të ankohet dhe në KQZ, por mund të shkojë më pas edhe në shkallën e dytë të ankimit, Kolegji”-tha Olli.

Në sallën e KQZ ishte i pranishëm për të monitoruar procesin edhe zv/ambasadori i OSBE-së, Ted Redford.

Erjon Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›