Zgjedhjet, 23 parti kundër PD e PS

Nga një tryezë e partive të vogla
Në takimin e partive të vogla ka konfirmuar pjesëmarrjen edhe Edi Rama nga PS. Pritet përfaqësim edhe nga PD.
Partitë e vogla nga e majta dhe e djathta do të tentojnë sot të bindin të mëdhatë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor në dy pika, që kanë të bëjnë me ndarjen e mandateve.
Me iniciativë të Partisë Demokracia Sociale të Paskal Milos dhe Partisë Republikane të Fatmir Mediut, do të mblidhet sot në Hotel Sheraton në orën 12:00 tryeza me rreth 23 forca politike. Një ftesë ka shkuar edhe për dy partitë e mëdha, ku sipas të gjitha gjasave nga Partia Socialiste do të jetë kryetari i saj Edi Rama, ndërsa nga Partia Demokratike, në mungesë të Kryeministrit Berisha, do të jetë një prej drejtuesve. Tryeza vjen një javë përpara se Komisionit të Reformës Zgjedhore ti përfundojë mandati. Megjithatë, Kuvendi pritet ti japë edhe një periudhë tjetër kohe këtij Komisioni për të amenduar të gjitha pikat e Kodit, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Propozimet
Dy janë propozimet më të rëndësishme të partive të vogla. Së pari, ato kërkojnë që sistemi aktual proporcional rajonal të kthehet në një sistem proporcional me korrektim kombëtar. Kjo do të bënte që votat e partive të vogla në qarqe të caktuara, që aktualisht nuk përkthehen në mandate, të mblidhen dhe të prodhojnë deputetë. Propozimi i dytë është që pragu elektoral për partitë të jetë 2 për qind, ndërsa për koalicionet 4 për qind. Është ajo që ne kemi kërkuar prej kohësh. Jo ndryshimin e sistemit, por korrektimin e sistemit. Propozojmë që të ketë një prag elektoral prej 2 për qind për forcat politike që garojnë vetëm dhe 4 për qind për koalicionet, deklaroi pak ditë më parë kreu i PDS, Paskal Milo. Kundër dy partive të mëdha është pozicionuar edhe Partia Republikane. Nënkryetari i PR-së, Alfred Deshati, tha se edhe me sistemin aktual kemi të bëjmë me fenomenin e Dushkut që favorizon partitë e mëdha. Ky Komision nga kryetari Mediu është bojkotuar që në takimin e tretë. Është një Komision bipartizan, një komision që drejtohet nga PD dhe PS që për hir të së vërtetës çdo ditë që janë në konflikt; Vetëm kur vjen puna tek Kodi Zgjedhor ato merren jashtëzakonisht mirë vesh me njëra-tjetrën. Nuk jemi dakord që vota e qytetarëve shqiptarë të tjetërsohet. Në rast se ne kishim një Dushk në 2005, sot kemi një Dushk që favorizon partitë e mëdha,- tha Deshati. Ndërkohë që Partia Socialiste është shprehur e gatshme të ndryshojë sistemin zgjedhor, demokratët kanë deklaruar edhe publikisht se amendimi i këtij kapitulli të Kodit kërkon para së gjithash ndryshimin e Kushtetutës. Sipas PD-së, ndryshimi i sistemit nuk është pjesë e paketës së rekomandimeve të OSBE/ ODIHR.
Komisioni parlamentar për reformën
Me vendim të Kuvendit, Komisioni parlamentar për Reformën Zgjedhore ka si afat të fundit të punës së tij 30 prillin. Sipas të gjitha gjasave, ky afat do të shtyhet sërish. Ekspertët e PD-së dhe PS-së që po punojnë së bashku, nuk kanë shqyrtuar ende kapitujt e Kodit që kanë të bëjnë me procesin e votimit, numërimin elektronik, kapitullin e animimeve në KQZ-së dhe Kolegjin Zgjedhor, si dhe formulën me të cilën do të zgjidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
PS: Mbështesim të vegjlit
Jemi duke punuar intensivisht që brenda këtij muaji të mbyllet nga Komisioni. Ne e kemi pikëpamjen tonë dhe po presim që të ndërtohet një propozim i gjithëpranuar. Partitë e vogla preken më shumë dhe, në respektim të tyre, ne e kemi shprehur këtë qëndrim. Çështja e KQZ-së do të diskutohet javën tjetër. Numërimi elektronik do të përdoret në zgjedhjet e 2013-s, deklaroi pak ditë më parë bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës, Damian Gjiknuri.LSI: Të barazohet vota
Kemi qenë të vendosur dhe kemi denoncuar ndërhyrjet deformuese që u bënë në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Nuk kemi ndryshuar qëndrim, përkundrazi, vazhdojmë të jemi të investuar maksimalisht që Komisioni i posaçëm kuvendor që merret me reformën zgjedhore, të bëjë të mundur që reforma të arrijë të barazojë vlerën e votës së çdo qytetari shqiptar, pavarësisht se ku voton, tha sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama.
ADI SHKEMBI