E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet privatizimi i “Albpetrol”

07/03/2012  PD refuzon propozimet e PS për ndryshimin e ligjit të kërkuar prej Ministrisë së Ekonomisë

Në seancë do të zhvillohen përplasjet e fundit, opozita kërkon garanci për burimet nëntokësore.

“Albpetrol” kalon në privatizim vetëm me votat e mazhorancës. Ndonëse dy ditë më parë palët kanë preferuar të diskutojnë çështjen duke iu kthyer replikave personale, dje çështja u përqendrua vetëm mbi projektligjin. Anëtarët e majtë, në Komisionin e Ekonomisë të zhvilluar ishin dakord që kjo kompani të privatizohej, por duke vendosur disa kushte. Madje ata kanë theksuar se privatizimi i plotë do të sjellë vetëm humbje për shqiptarët. Por propozimet nuk u pranuan nga mazhoranca. Duket se tentativën e fundit, opozitarët do ta kërkojnë dhe në seancën parlamentare.

PS kërkoi që të përcaktohej në ligj afati se kur kjo kompania do të privatizohet. Kërkesa e dytë ishte që të hiqen pika 2 e nenit 1 të projektligjit. Ku thuhet se, “Marrëveshja ‘Albpetrol’ do të thotë marrëveshja e lidhur më 26 korrik 1993, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Albpetrol”, me të gjitha ndryshimet e saj, dhe që do të vazhdojë të mbajë karakteristikat e një marrëveshjeje hidrokarbure të llojit të veçantë. Si rrjedhojë, ndarja e prodhimit, e parashikuar në marrëveshjet hidrokarbure, të lidhura ndërmjet shoqërisë “Albpetrol” dhe shoqërive të treta të kërkimit, prodhimit dhe të tregtimit të naftës dhe gazit, do të vazhdojë të kryhet ndërmjet shoqërisë “Albpetrol” dhe shoqërisë përkatëse, në respektim të parashikimeve të këtyre marrëveshjeve”. Sipas përfaqësuesve të PS, kjo pikë i lejon “Albpetrolit” të privatizuar të gëzojë të njëjta të drejta që gëzon edhe tani që është pronë e shteti. Kjo kërkesë u hodh poshtë në mënyrë kategorike nga Eno Bozdo, Zv/ministri i METE-s. Sipasi tij, kjo kërkesë e PS është e pabazë duke thënë se puset e naftës dhe burimet e tjera të hidrokarbureve do të vazhdojnë të jenë pronë e shtetit shqiptar. “Projektligji nuk privatizon puset e naftës. Rezervat e naftës ngelen pasuri e shtetit”, deklaroi Bozdo. Për sa i përket pyetjeve që deputetët e PS-së i drejtuan dje Bozdos, ai iu përgjigj dhe dha disa shifra rreth gjendjes aktuale të “Albpetrolit”. Ai tha që në vend gjenden rreth 436 milionë ton naftë bruto, por vetëm 80 milionë janë të shfrytëzueshme për shkak të teknologjisë së tanishme. Kompania që do të privatizojë “Albpetrolin” do të përvetësojë rreth 30 milionë ton naftë, për arsye se 50 milionë ton janë shfrytëzuar, nga burimet që janë të shfrytëzueshme për momentin. Komisioni u shoqërua si zakonisht me debate të ashpra ndërmjet anëtarve të mazhorancës dhe Partisë Socialiste. Projektligji u miratua me 10 vota pro dhe 7 vota kundër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›