E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, 3 muaj pa zgjidhje

07/03/2012  Prej datës 1 janar AKKP nuk kryen asnjë veprim për shqyrtimin e dosjeve të mbetura

Pronarët vetëm depozitojnë dokumente. Pritet sërish shtyrje e afatit të punës

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave prej mëse 2 muajsh vijon të mbaj pezull shqyrtimin e rreth 10 mijë kërkesave për shkak se nga data 1 janar i këtij viti këtij institucioni i ka mbaruar afati për shqyrtimin. Sipas nenit 24 të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave, i ndryshuar”, i cili trajton afatin e përfundimit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme, data 31 dhjetor 2011 është afati i përfundimit të procesit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme. Ndërkohë që përjashtim nga ky afat bën vetëm kryerja e pagesës së kompensimit, e cila duhet të përfundojë në vitin 2015. Prej 2 muajsh, AKKP-ja nuk kryen më detyrat e saj në trajtimin e gjithë problematikës së çështjes së njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave. Megjithatë, burime nga ky institucion bëjnë të ditur se aktualisht janë duke pranuar dokumente të ndryshme që sjellin subjektet për plotësimin e dosjeve të tyre, pasi është garantuar shtyrja e afatit për shqyrtimin e dosjeve dhe janë duke pritur vetëm bërjen zyrtare të tij. Skadimi i afatit ligjor ka sjell ngërç për dhjetëra ish-pronarë, dosjet e të cilëve janë në proces shqyrtimi ose nuk janë hapur fare për t’u shqyrtuar deri më tani. Pra bëhet fjalë për më shumë se 10 mijë dosje të ardhura nga agjencitë rajonale, që prej kohës kur ato u mbyllën dy vjet më parë dhe i gjithë dokumentacioni i tyre së bashku me çështjet që kishin në dorë iu kaluan zyrës qendrore të AKKP-së. Në periudhën e mbarimit të afatit të punës, AKKP-ja ishte në procesin e verifikimit në tërësi të dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara dhe përputhshmërinë e tij me kriteret e përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi, apo edhe kontrollin e vërtetësisë së dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara. E vetmja veprimtari e Agjencisë dhe e veprimeve që mund të kryejnë qytetarët e interesuar në të janë ato që kanë të bëjnë me çështjet apo dosjet e përfunduara, për të cilat është njohur prona e kërkuar. Pra bëhet fjalë vetëm për procesin vijues, atë të pagesës së vlerës së njohur të kompensimit që përcakton neni 23 i ligjit, pasi nuk do mund të funksionojë për trajtimin e kërkesave të subjekteve të interesuara, sepse nuk ka bazë ligjore. Duke pasur parasysh afatet e nevojshme nëse qeveria vendos të shtyjë sërish afatin për këtë proces, AKKP-ja mund të rifillojë shqyrtimin e kërkesave pas dy muajsh, pra në muajin maj. Tek ky numër dosjesh të bllokuara hyjnë vetëm ajo pjesë e dosjeve, që kjo Agjenci për arsye të ndryshme nuk ka mundur t’i marrë dot në shqyrtim dhe të japë një përgjigje për njohjen pronës së pretenduar apo rrëzimin e kërkesës së subjektit përkatës.

Problemet

Përveç pjesës së dosjeve të patrajtuara asnjëherë, një çështje që kërkon zgjidhje dhe që prej muajsh është bllokuar është edhe ajo e rivlerësimit të vendimeve të mëparshme të komisioneve apo agjencive rajonale, për të cilat ka pasur pretendime dhe dokumente shtesë për pronësinë e vërtetë të pronës së kërkuar. Sipas të dhënave janë rreth 30 mijë dosje të tilla, të cilat janë duke pritur zgjidhjen e tyre nga AKKP-ja.

Kompensimi

Nga data 5 mars ka filluar dorëzimi i dokumenteve nga 700 subjekte që do të përfitojnë kompensim financiar për trojet e zëna nga ndërtimet pa leje në zonat informale. Afati i aplikimit për këta pronarë do të jetë pafundësisht i hapur. Kjo do të thotë se këta pronarë mund të dorëzojnë kërkesat e tyre në çdo kohë, ndërsa në momentin që vjen radha e emrit të tyre, paratë i depozitohen nga AKKP në llogarinë e tyre personale.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›