E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet pyetësori i Shqipërisë me BE-në. Berisha: Ne prill dorezohet ne Bruksel

Pas tre muajsh e 15 ditësh punë, pyetësori mbi të cilin do të jepet opinionin i Bashkimit Europian për statusin e vendit kadidat është gati. Në mbledhjen përmbyllëse të komitetit ndërministror për integrimin kryeminstri Berisha u shpreh optimist se përgjigja e Brukselit për këtë status do të jetë pozitive.

"Shkojmë me një optimizëm që Shqipëria mbi bazën e këtij dokumenti do vlerësohet pozitivisht si vend kandidat. Pas këtij fillimi do ketë një fillim tjetër, dhe urojmë ta arrijmë sa më shpejt, është vendimi paravendimtar për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian", deklaroi kryeministri Berisha.

1200 punonjës të administrates, 27 ekspertë ndërkombëtarë dhe dhjetra agjenci konsulence të huaja kanë punuar për të hartuar përgjigjet e 2284 pyetjeve të Brukselit. Megjithatë sipas shefit të qeverisë, puna me këtë dokument nuk përfundon këtu.

"Unë jam i bindur se me gjithë përpjekjet tona të jashtëzakonshme për të bërë më të mirën, sërish në procesin e dialgout me KE do ketë jo pyetje shtesë por pyetje për të qartësuar përgjigjet që kemi dhënë. Kjo është një praktikë normale. Do ketë nevojë për sqarime të shumta, do ketë nevojë për riformulim, duhet të jemi të përgatitur dhe për gabime në përkthime, apo paqartësi në përkthime", vijoi Berisha.

Përgjigjet e pyetësorit do t’i përcillen Bashkimit Europian në javët e para të prillit. Deri në atë kohë kryeministri ka kërkuar rishikim të këtij dokumenti për qartësi përkthimi. Në fund të asaj që ai e quajti një maratonë shumë të fuqishme, kreu i qeverisë premtoi një riformatim të institucioneve dhe shërbimeve në përqasje të standartit europian.

Elona Gjylmi

Azhornuar së fundi ( e martë , 30 mars 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›