E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet votimi në Maqedoni, OSBE/ODIHR: Pa incidente

Rreth 54 % e maqedonasve votuan dje në zgjedhjet e parakohshme, që pritet të përmirësojnë klimën politike. Numër i ulët votuesish në zonat shqiptare. Vëzhguesit vendorë: Kishte votim familjar dhe fotografim të fletëve

Rreth 54 % e maqedonasve kanë votuar dje në zgjedhjet e parakohshme, që pritet të sjellin një përshpejtim të reformave në Maqedoni. Komisioni Shtetëror Zgjedhor bëri të ditur se procesi zgjedhor po zhvillohet pa probleme, ndërkohë që në të gjitha pikat e votimit, të cilat janë hapur në orën shtatë të mëngjesit, qytetarët kanë votuar lirshëm. “Procesi ishte demokratik. Deri tani nuk kemi marrë asnjë ankesë nga partitë politike”, - bëri të ditur kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko. Ai theksoi se procesi zgjedhor po ecën pa probleme dhe parregullsi, përveç ca problemeve të vogla teknike, të cilat janë shmangur për pak minuta. “Zgjedhjet po zhvillohen në një atmosferë krejtësisht të qetë, në të gjitha zonat e banuara me shqiptarë”, - tha Bedredin Ibrahimi, anëtar i KSHZ-së. Ai shtoi se forcat e shtuara policore, kryesisht në vendvotimet me shumicë shqiptare, kanë ndikuar në nivelin e ulët të votuesve, kryesisht në njësinë 6, që përfshin Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën. “Është brengosës fakti se sikur nga një sustë e shtypur, kryesisht në vendvotimet shqiptare, vërshuan forcat policore, që, sipas meje, si anëtar i KSHZ-së, ndikon negativisht në shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve të Maqedonisë. Se përse ndodh kjo, nuk kam informatë. Por ne, si KSHZ, jemi duke e ndjekur situatën dhe pasi të kemi informacionin kthyes, do të marrim qëndrim konkret lidhur me këtë dukuri”, - u shpreh Ibrahimi. Ndërkohë, organizata qytetare “MOST”, e cila e ndjek procesin zgjedhor me 3 mijë e 700 vëzhgues, njoftoi për një varg parregullsish në shumë pika votimi, si fotografim i fletëvotimeve dhe votim familjar. ”Vëzhguesit tanë kanë regjistruar votim grupor familjar, si dhe vëzhgues partiakë, të cilët në kundërshtim me ligjin, kanë fotografuar votuesit se kë votojnë, duke thyer kështu ligjin”, - theksoi Darko Aleksov, kryetar i asociacionit qytetar “MOST”. Ndërkaq, drejtori i misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve, Janez Lenarçiq, deklaroi se procesi i votimit në Maqedoni po rrjedh pa probleme. "Deri tani, votimet po zhvillohen pa probleme, mirëpo duhet të presim fundin", deklaroi Lenarçiç, gjatë vizitës së një vendvotimi në njësinë zgjedhore numër një në Shkup. Ai theksoi se vëzhguesit e këtij misioni nëpër tërë vendin po vëzhgojnë votimet dhe numërimin e votave. Ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Shkup, Filip Riker dhe Piter Sorensen, të cilët vizituan disa vendvotime në njësinë zgjedhore gjashtë, që përfshin Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën, paraprakisht u bënë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të mos frikësohen për të votuar sipas bindjeve të tyre, pasi votimi është i fshehtë. Edhe ambasadori slloven, Alen Beragant, i cili vizitoi disa qendra votimi, tha se procesi zgjedhor në Maqedoni është i kënaqshëm, sipas standardeve të vendeve demokratike. “Ftoj qytetarët e Maqedonisë të japin votën e tyre. Shpresoj që sa më shpejt do të kemi Qeveri të re të Maqedonisë dhe Maqedonia do të vazhdojë me reformat; sa më shpejt do të zgjidhet çështja e emrit, ndërsa gjithashtu të përmirësohet edhe situata në mediat", u shpreh Bergant.

Zgjedhjet, shpresë për reformat

Shumë analistë shpresojnë që zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni do të shpejtojnë reformat e nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Europian. Rreth 1.8 milionë njerëz kanë të drejtë të hedhin votën për zgjedhjen e 123 deputeteve të parlamentit me mandat 4-vjeçar. Pretendentët kryesorë në këto zgjedhje janë koalicioni i 24 partive, i udhëhequr nga Kryeministri konservator Nikolla Gruevski dhe partia e majtë Lidhja Socialdemokrate e Branko Cervenkovskit. Anketat tregojnë se koalicioni i z.Gruevski kryeson, por shumë vëzhgues besojnë se nuk do të arrijë të fitojë shumicën e mjaftueshme për të krijuar qeverinë. Zgjedhjet vëzhgohen nga rreth 3 mijë e 500 monitorues vendas dhe 350 të huaj.

OSBE/ODIHR: Zgjedhjet, deri tani pa probleme

Drejtori i misionit të OSBE/ODIHR për vëzhgimin e zgjedhjeve, Janez Lenarcic ka deklaruar se procesi i votimit në Maqedoni deri tani po rrjedh pa probleme. “Deri tani votimet po zhvillohen pa probleme, mirëpo duhet të presim fundin”, deklaroi Lenarcic, gjatë vizitës së një qendër votimi në shkollën fillore “Koço Racin” në Shkup. Ai theksoi se vëzhguesit e këtij misioni nëpër tërë vendin po vëzhgojnë votimet dhe do të vëzhgojnë numërimin e votave. “Këto janë zgjedhjet e 11-ta që po vëzhgojmë këtu. Ne kemi mbi 300 vëzhgues afatshkurtër, si dhe vëzhgues afatgjatë, që kanë mbërritur këtu para një muaji”, - theksoi Lenarcic. Sipas tij, të dhënat përfundimtare mbi procesin zgjedhor do të dërgohen pranë zyrës në Shkup dhe do të japin në një raport preliminar, nesër në një konferencë me mediat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›