Plumbi qorr godet në shpatull kalimtarin
Shkodër Ka dëgjuar të shtëna arme dhe ka dalë në rrugë për të parë se çfarë po ndodh, por një plumb e ka goditur në shpatull dhe pse i dëmtuari nuk ishte objekt i qitjes. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, në lagjen “Tom Kola” të qytetit të Shkodrës, në rrugën” Lin Delija”. Gjon Ballqiti, 65 vjeç, banues në këtë rrugë, ka qenë në oborrin e shtëpisë së tij private kur ka dëgjuar të shtëna jashtë. Ai ka hapur derën e oborrit dhe ka dalë në rrugë, për të parë se çfarë kishte ndodhur por të shtënat kanë vazhduar dhe një plumb e ka goditur në shpatull. Të tjerë persona të rastësishëm kanë ndërhyrë për t’i dhënë ndihmën dhe bashkë me familjarët e të dëmtuarit, e kanë dërguar atë në Spitalin e Shkodrës. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe pas pak minutash ka mundur të ndalojë autorin e ngjarjes së bashku me armën e zjarrit tip pistoletë, me të cilën ai ka qëlluar. Nga hetimet e deritanishme rezulton se 65-vjeçari nuk ka qenë shënjestër e autorit, por rastësisht ka dalë në rrugë dhe ka marrë një plumb nga prapa në shpatull. Po hetohet lidhur me ngjarjen, pasi nuk dihet ende nëse autori ka dashur të vrasë ndonjë person tjetër dhe ka qëlluar drejt tij apo ka qenë duke qëlluar në ajër dhe ka humbur kontrollin e armës. Sipas dëshmitarëve okularë, ata kanë dëgjuar të shtëna arme dhe pastaj kanë parë 65-vjeçarin që rrëzohej nga plumbi. Ata pohojnë se të shtënat kanë qenë të shkëputura në interval disa sekonda nga njëra-tjetra, përpara se Ballqiti të dilte në rrugë dhe të goditej nga plumbi. Burime pranë Spitalit të Shkodrës bëjnë të ditur se i dëmtuari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.