Vdekja e gruas nga pakujdesia e mjekëve, nis hetimi
Korçë Nis hetimi te bluzat e bardha, pas vdekjes së një pacienteje, priten arrestime. Materniteti i Korçës është tronditur prej dy ditësh nga një ngjarje e rëndë. Një paciente 49-vjeçare nga rrethi i Devollit ka gjetur vdekjen, ndonëse kishte 10 ditë që ndodhej nën vëzhgimin e mjekëve. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë në Korçë bëjnë të ditura se vdekja e Fatbardha Alikos ka ardhur nga pakujdesia e mjekëve, ndaj dhe ka nisur hetimi për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm” ndaj stafit të bluzave të bardha, që u morën me trajtimin e saj mjekësor. Prej të shtunës, organi i akuzës në Korçë dhe specialistët e Drejtorisë së Policisë në këtë qytet, kanë nisur hetimin për zbardhjen e vdekjes misterioze të pacientes, që do të linte spitalin gjatë kësaj jave. Sipas të afërmve të saj, mjekët e kishin garantuar se gjendja e saj shëndetësore është përmirësuar dhe ishte drejt lënies së spitalit. Por nuk ka ndodhur aspak kështu. Fatbardha Aliko, 49 vjeç, nga rrethi i Devollit, ishte duke u mjekuar prej të paktën 10 ditësh nga disa probleme gjinekologjike. Në momentin e humbjes së jetës, pacientja e shoqëruar nga dy të afërme të saj, që i kishin ardhur për vizitë, ka qenë duke shkuar në tualet. Aty ajo ka rënë pa ndjenja, teksa kur kanë ardhur mjekët e kanë gjetur atë të vdekur.
Fatbardha Aliko kishte humbur bashkëshortin pak muaj më parë, teksa ka lënë jetimë dy fëmijët e saj. Nga hetimet paraprake dhe relacioni i mjekëve ligjorë, të ardhur enkas nga kryeqyteti për ngjarjen, dyshohet se vdekja e gruas është pasojë e mjekimit të pakujdesshëm. Madje kjo është dhe vepra penale mbi të cilën është mbështetur i gjithë hetimi mbi ngjarjen e rëndë. Ndërkaq, bluzat e bardha janë përfshirë nga ankthi, teksa burime të policisë kanë bërë të ditura për gazetën se priten edhe arrestime për ngjarjen. Gruaja i është nënshtruar një operacioni afro 10 ditë më parë, i cili ka dalë me sukses, ndërsa ka pasur vijueshmëri të mirë, të paktën sipas asaj që mjekët kanë shprehur për familjarët e viktimës. Ndërkohë që ndjekje penale ka edhe për vëllain e viktimës, së maternitetit të Korçës. 43-vjeçari ka reaguar në Shtëpinë e Lindjes në Korçë pas vdekjes të motrës së tij, dhe nga dëshpërimi, me sende të forta, ai ka thyer xhamat dhe ka dëmtuar derën hyrëse të këtij institucioni mjekësor. Burime të policisë lokale bëjnë të ditura se ndaj shtetasit Fredi Goce, banor i fshatit Vishocicë, në rrethin e Devollit ka nisur procedimi penal. Goce akuzohet për veprën penale “Shkatërrim i pronës”. Në një gjendje tejet të vështirë emocionale, 43-vjeçari ka tentuar të hyjë brenda në spital me forcë, ndërsa ka dëmtuar derën duke thyer dhe xhamat e saj, teksa akuzonte mjekët që e lanë motrën e tij të vdiste.
Irena Vreto