Mbyllja e “Temës” Min.Financave reagon pas pretendimeve të Bazes
TIRANE-Ka reaguar Ministria e Financave pas pretendimeve të Mero Bazes se shkak i mbylljes se “Tema” kanë qenë kontrollet selektive financiare dhe presionet që vijnë nga qeveria. Ministria e Financave i referohet një kontrolli të muajit dhjetor të 2009, prej ku sipas saj ka rezultuar se ortak i vetëm i kompanisë “Media Enter” ka qenë Besnik Sula. Ministria sqaron gjithashtu se kompania në fjalë prej kohësh ka mungesa në deklarimet periodike të veprimtarisë së saj përfshi dhe mosdorëzimin e bilancit financiar të 2008. Si rezultat kompania ka dhe detyrime tatimore të papaguara. Në 5 vjet vijon reagimi i Ministrisë së Financave kompania nuk është kontrolluar asnjëherë nga organet tatimore cka rrëzon pretendimin e Bazes për kontrolle selektive. Sipas dokumentacionit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të biznesit kjo kompani, ka ndërruar pronarë ku rregjistrimi i fundit i ndryshimit të pronësisë i përket muajit Nëntor 2005 dhe megjithatë në asnjë rast nuk është bërë pagimi i detyrimeve që lindin nga transaksioni i shitjes së kompanisë. Shoqëria “Media Soft Albania”, që sipas dokumentacionit të QKR rezulton të jetë rregjistruar në Nëntor të vitit 2005, në pronësi te z. Festim Bajrami, dhe administrator z. Mero Baze, ka kryer veprime zhdoganimi të një shyptshkronjë në vitin 2006, dhe nuk ka shlyer detyrimet doganore edhe pas afatit ligjor për pagimin e këtij detyrimi në shumën 4,8 miljon lekë dhe aktualisht ka akoma të papaguar shumën prej 3,3 milion lekë pa përfshirë kamat vonesat. (e.n/News24/BalkanWeb)