Pyetjet sekrete të BE-së, ja cfarë informacioni kërkohet
TIRANE- “Gazeta Shqiptare” publikon sot ekskluzisht 120 pyetjet themelore të pyetësorit të Komisionit Europian për Shqipërinë që iu dorëzua kryeministrit Berisha më 16 dhjetor të vitit të kaluar nga kreu i Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan. Pjesa më e rëndësishme e këtij dokumenti, është ajo politike ku “shefat” e BE-së kërkojnë informacion në detaje për nivelin e demokracisë në vend, rolin e institucioneve, të drejtat e njeriut apo luftën kundër korrupsionit. Pyetjet fillojnë me kushtetutën e vendit, vijojnë me parlamentin, qeverinë dhe programin e saj, sistemin juridik ku një vend të rëndësishëm zënë pyetjet për garantimin e pavarësisë së gjyqësorit në vend, masat e marra në luftën antikorrupsion, sigurimi i brendshëm dhe raporti i policisë me forcat e tjera të sigurisë, të drejtat e njeriut si dhe të drejtat civile e politike. Ceshtjet rajonale dhe detyrimet ndërkombëtare janë një tjetër kapitull për të cilën interesohen ndërkombëtaret . Pra një radiografi e plotë e Shqipërisë. Kështu mund të përmblidhet pyetësori i Komisionit Europian për Shqipërinë, përgjigjet e së cilit do të shënojnë një hap domethënës drejt integrimit në BE. 33 kapituj, 2284 pyetje dhe 800 punonjës të administratës pa llogaritur përkthyesit janë shifrat e një prej dokumenteve më të rëndësishëm të historisë së marrëdhënieve Shqipëri-BE. Në relacionin shoqërues të këtij dokumenti sqarohet se Shqipëria duhet të përmbushë 3 kriteret e këshillit të Kopenhagenit si kusht për anëtarësimin në BE. “Qeveria shqiptare është e ftuar t’u japë përgjigje çështjeve esenciale në mënyrë të qartë dhe transparente. Përgjigjet duhet të jenë në një nga gjuhën zyrtare të BE-së dhe preferohen në gjuhën angleze. Komisioni Europian mbetet i gatshëm që t’i japë qeverisë çdo shpjegim për paqartësitë që mund të ketë për pyetje të caktuara”, sqaron relacioni shoqërues i pyetësorit. Këto përgjigje do t’i dorëzohen Komisionerit për Zgjerimin në BE, Stefan Fuele. (GSH/BalkanWeb)