E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllja e tunelit për suvatimin e 300 metrave

Njoftimi për pezullimin disaditor të qarkullimit të mjeteve në tunelin e Kalimashit ka bërë që mijëra mjete të marrin sërish rrugën e mundimshme nga Qafa e Malit për të mbërritur në Tiranë.

Pas marrjes së lajmit për mbylljen e përkohshme të tunelit, një numër udhëtarësh, kryesisht kosovarë që vijnë për pushime në Shqipëri, kanë pezulluar udhëtimin, duke e shtyrë atë për disa ditë më vonë, deri në njoftimin e ri nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Për të shmangur udhëtimin tradicional të lodhshëm, përmes Qafës së Malit apo përmes tragetit drejt Bajram Currit, kosovarët kanë preferuar të shtyjnë pushimet për disa ditë, deri në rihapjen e tunelit të Thirrës për automjetet. Vendimi për mbylljen e tunelit për trafikun prej orës 11:00 të së hënës, deri mëngjesin e së enjtes, ka bërë që udhëtarët t‘i drejtohen rrugës së vjetër. Edhe më herët ka pasur pezullime prej disa orësh, kryesisht natën, por siç duket për një qarkullim më të sigurt, drejtuesit e punimeve kanë vendosur të pezullojnë deri të enjten çdo lëvizje në tunel. Një nëpunës i firmës së kontraktuar është shprehur: "Po punohet në një pjesë, rreth 300 metra linear tunel i pasuvatuar, pjesë e cila gjatë këtyre ditëve ishte mbuluar me një rrjetë". Duket se inaugurimi i tunelit më datën 25 qershor, pak ditë para mbarimit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, ka qenë disi i nxituar. Tuneli ka pasur nevojë për punime shtesë, ndaj është dashur të ndërpritet qarkullimi për katër ditë. Për më tepër mësohet se lëvizja e automjeteve, gjatë kësaj periudhë, nga të dy anët e kufirit, u ka kushtuar shumë grupeve të sigurisë, pasi u është dashur të shoqërojnë çdo karvan automjetesh nga hyrja në dalje për arsye sigurie dhe për të shmangur ndonjë incident të mundshëm. Siguria ka qenë prioritet i firmës ndërtuese, e cila gjatë ndërtimit të krejt segmentit Rrëshen-Kalimash, por në mënyrë të veçantë tunelit të Thirrës, është mbikëqyrur rreptë në pikëpamje të sigurisë teknike për jetën e punëtorëve. Madje është vlerësuar si sukses fakti që nuk është shënuar asnjë aksident gjatë punimeve. Mësohet se krahas suvatimit për pjesën e mbetur në tunel do të instalohet rrjeti ndriçues, i cili për momentin nuk funksionon. Ndërkohë do të punohet dhe për instalimin e kamerave të sigurisë dhe pajisje të tjera, në mënyrë që tuneli të jetë në parametrat dhe standardet e kërkuara.

Pas hapjes së tunelit, mendohej se autostrada do të përfundonte plotësisht në javën e fundit të muajit qershor, ku firma kontraktore do të dorëzonte katër korsitë e rrugës, të gatshme për të përshkuar tashmë distancën Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas më shkurt dhe më shpejt. Por përurimi i tunelit, pa përfunduar mirë punimet, ka bërë që të ndërpritet qarkullimi i automjeteve, deri në mbarimin e disa punimeve elektromekanike dhe përforcuese në galerinë jugore, të cilat për arsye teknike dhe sigurie nuk mund të zhvillohen në prezencë trafiku. Kjo vepër shkurton me katër orë distancën nga Kukësi në Tiranë dhe bashkon ekonomikisht trojet shqiptare, duke i shndërruar edhe në faktor rajonal.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›