Mbytet në liqen, maturanti nga Shtiqni
Një adoleshent nga fshati Shtiqën, në Kukës, ka gjetur vdekjen në ujërat e liqenit të Fierzës, ndërsa kishte shkuar të lahej me një grup shokësh. Ngjarja ka ndodhur të mërkurën, në mesditë, kur maturanti X.Muja ka shkuar së bashku me tre-katër shokë të tij në liqen, në afërsi të qytetit të Kukësit, ku kanë hyrë në ujë për të shuar vapën. Por hedhja në ujë ka qenë fatale. Ai është zhytur menjëherë në thellësi gati 10 metra nga ku e kanë nxjerrë shokët e vet pa shpirt. Shokët mësohet të kenë pohuar se djaloshi nuk dinte not dhe se ata kanë dashur thjesht të freskohen, duke menduar se nuk do të futen në thellësi, por aty terreni është tepër i pjerrët dhe thellësia fillon menjëherë. Në vendngjarje ka shkuar edhe një grup i policisë, pasi komisariati ndodhet vetëm 20 metra larg vendit të ngjarjes. Viktima është dërguar shumë shpejt në spital, me shpresën se mos rikthehet në jetë, por ka qenë tepër vonë. Ai ka mbërritur i vdekur në spital. Ky është rasti i parë i mbytjes në ujërat e liqenit të Fierzës, gjatë këtij viti. Edhe më herët ka pasur raste të tilla, madje gjatë verës, në vitet e shkuara, policia ka patrulluar me skaf brigjet e liqenit, për parandaluar mbytjet në ujë.