E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Tiranës fillon "sulmin" në plazhe

Pushuesit, që në këtë sezon veror do të zgjedhin "të përvëlohen" nën diellin e plazheve të Spillesë, Golemit dhe përgjithësisht vijës bregdetare që lag Kavajën, duhet të ndihen të sigurt. Detyra e tyre është vetëm çlodhja dhe argëtimi. Por, ky i fundit pa e tepruar dhe pa shkelur rregullat. Policia e Tiranës ka hartuar tashmë një plan masash, që të garantojë rendin dhe qetësinë për pushuesit në këtë zonë, por edhe të dërgojë në "vendin e duhur", shkelësit e ligjit. Përmes një qëndrimi zyrtar Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë konfirmon se ka nisur marrjen e masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale, sigurimin e rendit dhe qetësisë, në rrugë, në plazhe e në zona të tjera turistike, gjatë sezonit veror 2009, i cili konsiderohet i mbyllur deri më 30 shtator. "Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, është hartuar plani i masave për parandalimin e ngjarjeve kriminale, sigurimin e rendit dhe qetësisë, lëvizjen dhe qarkullimin normal të mjeteve dhe këmbësorëve në rrugë, në plazhe e në zona të tjera turistike, gjatë sezonit veror 1 qershor-30 shtator 2009, i cili u është përcjellë dhe është vënë në zbatim nga Komisariatet e Policisë Nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6, Rrugore Tiranë dhe Komisariati i Policisë Kavajë", thuhet në qëndrimin zyrtar të Policisë së Tiranës. Ata bëjnë të ditur gjithashtu se, nga sektorët dhe komisariatet e kësaj drejtorie, janë marrë masa për të parandaluar e goditur në kohë veprimtari kriminale, në vende turistike, hotele, bare, restorante etj. Sipas tyre, janë marrë masa për mbulimin e akseve rrugore: Kamëz-Tiranë, Rinas-Tiranë, Tiranë-Ndroq-Plepa, Tiranë-Vorë-Durrës, Tiranë-Kërrabë, Tiranë-Dajt dhe në akset rrugore të Rrethit të Kavajës, me shërbime të policisë rrugore dhe atyre të rendit, gjatë ditëve të javës dhe sidomos të shtunave e të dielave, duke kryer dhe shërbime suplementare policie. Këto masa të Drejtorisë së Policisë të Qarkut të Tiranës bëhet e ditur se mbështeten edhe në eksperiencat e viteve të mëparshme kur gjatë sezonit turistik, zona e bregdetit të Kavajës përballet me shtimin e madh të popullsisë, që vijnë nga rrethet e tjera të vendit. Po kështu, ka një fluks të madh të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, që vijnë nëpërmjet aeroportit "Nënë Tereza" Rinas apo pikave të tjera kufitare, për të kaluar pushimet në bregdet dhe në zona të tjera turistike të Qarkut të Tiranës. Një tjetër arsye për gatishmërinë e policisë në plazhe është edhe shtimi i numrit të automjeteve në qarkullim dhe dendësia problematike e trafikut. Por pa neglizhuar mbajtjen nën kontroll të personave me precedentë policorë dhe kapjen e të kërkuarve nga uniformat blu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›