Volfsburg blindon Xhekon: I pashitshëm
Milani nuk e pati kohën as të prezantojë ofertën. "Xheko është i pashitshëm". Kështu Volfsburgu, sipas drejtorit të tij të përgjithshëm Jurgen Marbah, bllokon tratativat e kuqezinjve për të sjellë në Itali bomberin e ri boshnjak. Vetëm pak orë më parë, klubi gjerman lajmëroi se kishte marrë një propozim nga italianët. Përgjigjja ishte: "Nuk jemi të interesuar për shitjen e tij". Marrëveshja mes klubit kuqezi dhe sulmuesit 23-vjeçar dukej një hap larg, me një rrogë prej 2 milionë eurosh në sezon. Por ka ndodhur e papritura. Ai që nuk bindet është Volfsburgu. "Dushi i ftohtë" ka ardhur direkt nga drejtuesit e klubit gjerman. Kontrata e Xhekos skadon më 2011-ën. "Milani është ëndrra ime", kishte thënë lojtari, por tashmë duket se këtë emër klubi i Berluskonit do të duhet ta heqë menjëherë nga lista e blerjeve.