Shumaher: Nuk e imagjinoj dot F1-shin pa ‘big‘-ët
Edhe Mikael Shumaher ka folur për konfliktin ndërmjet Federatës Ndërkombëtare (FIA) dhe Shoqatës së Skuadrave të Formula 1 (FOTA), që rrezikon largimin e konstruktorëve të mëdhenj. Në një deklaratë në faqen zyrtare të Ferrarit, shtatë herë kampioni i botës deklaroi: "Është e pamundur të shohësh F1 pa Ferrarin apo pa konstruktorët e tjerë të mëdhenj, të cilët marrin pjesë prej vitesh nëpër gara. Mendoj se duhet patjetër të gjendet një kompromis. Zgjidhja është vetëm ajo që u përshtatet skuadrave, të cilat e kanë ngritur këtë sport në nivelin aktual. Askush nuk mund të presë ndryshime kaq drastike". Më tej, gjermani që punon te "kokëkuqja" shtoi: "Objektivi i të gjithë aktorëve është ulja e shpenzimeve, por kjo duhet të realizohet hap pas hapi dhe jo të përmbysësh gjithçka brenda një dite".