E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lul Berisha largohet nga salla bashkë me avokatët

11/06/2010 Irritim gjatë leximit të deklarimeve të dëshmitarëve në mungesë

TIRANË- Procesi gjyqësor kundër të pandehurve akuzuar për vrasje dhe krime të tjera në emër të Bandës së Durrësit, vijoi dje me shkëputje dhe debate të forta mes palëve. I parashikuar të niste në orën 9.00, ai u shty për më vonë, pasi prokurori Behar Dibra i ndodhur i vetëm në sallë, nuk mundte të vazhdonte pa praninë e kolegut të tij Anton Martini, i cili pritej të vinte nga shërbimi jashtë Tirane. Ky qëndrim ka acaruar avokatët dhe të pandehurit, të cilët i thanë prokurorit Dibra se mund ta ndihmonin atë me aktet dhe të vazhdonin. Seanca rifilloi rreth orës 11:30 atëherë kur tek dera e sallës së madhe të gjyqit u shfaq prokurori Anton Martini. Ardhja e Martinit solli edhe debatin. Fillimisht prokurori kërkoi të lexoheshin deklarimet e disa dëshmitarëve, të cilët nuk kanë adresë. Ndërsa gjykata u shpreh se do të vendoste për të më vonë. Me gjithë debatet e ashpra, nga shtatë dëshmitarë të paraqitur, u arritën të pyeteshin vetëm dy prej tyre. I pari Hajri Jaja tha se ka qenë afër vendit të ngjarjes në verën e vitit 1998 kur Marsel Sotirit iu bë një atentat tek shinat e trenit në unazën e Durrësit. Por dëshmitari u shpreh se nuk ka njohur njeri, ndërsa ka parë vetëm makinën e Sotirit të goditur nga plumbat. Ajo që ka tërhequr vëmendjen në seancën e djeshme ka qenë prezenca e dëshmitarit Geri Baja. Për këtë dëshmitar Prokuroria ka ngulmuar një seancë më parë që të lexoheshin deklarimet, pasi policia nuk i kishte gjetur vendndodhjen. Por emri i tij është përmendur edhe nga avokatët mbrojtës, të cilët i kanë shprehur gjykatës gatishmërinë për të sjellë dëshmitarin në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Edhe kështu ka ndodhur, teksa Baja u shfaq në ambientet e gjykatës. Martini e kundërshtoi pyetjen e tij duke pretenduar se nuk ka ardhur me ftesë të gjykatës, por i sjellë nga mbrojtja. Sipas prokurorit, ky dëshmitar është i përpunuar nga mbrojtja dhe nuk do të thotë të vërtetën. Gjykata pranoi të lexojë deklarimet e dëshmitarëve Mustafa Mustafai dhe Julian Karpuzit. Këta shtetas kanë qenë në vrasjen e Eduart Ongarit në vitin 1999. Teksa fjalën e mori prokurori Anton Martini për të lexuar deklarimet e këtyre dëshmitarëve, nga kafazi i hekurt ka reaguar i pandehuri Lulzim Berisha, i cili i tha prokurorit “lexo shpejt” dhe më pas u largua në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit. Bashkë me Berishën u largua edhe avokati i tij mbrojtjes Ilia Ilia, ndërsa nga ana tjetër Prokuroria vijonte me leximin e deklarimeve. Në një moment, gjykata e ndërpret prokurorin duke i bërë me dije se çfarë mendon për situatën e krijuar dhe për vazhdimin e procesit dhe prokurori këmbënguli të vijojë leximin e deklarimeve. Pas replikave të momentit me gjykatën dhe avokatët, prokurori Anton Martini deklaroi se nuk duhet të tolerohet sjellja e avokatit dhe ai duhet të zëvendësohet me një avokat kryesisht.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›