Mbytet varka në Karaburun, shpëtohen 7 turistë

Për pak sa nuk kanë përfunduar në një tragjedi të vërtetë pushimet e disa turistëve që kishin zgjedhur Karaburunin për të lundruar me një varkë. Një varkë me 7 persona në bord është mbytur në orët e vona të natës së mbrëmshme në ujrat e detit Jon në Vlorë por fatmirësisht pa dëme në njerëz.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë Karaburunit ku varka, 6 metra e gjatë me 7 turistët ka pësuar avari dhe ka mbetur në mes të detit. Menjëherë turistët kanë lëshuar një alarm sos duke lajmëruar kapitenerinë, ndërsa menjëherë shërbimet e policisë kufutare dhe të migracionit në Vlorë së bashku me Guardia di Finanza kanë organizuar një operacion shpëtimi duke evakuar nga mjeti që rrezikohej të mbytej 7 personat që ndodheshin në bord. Më pas, mjeti tip gomone ka përfunduar në thellësi të ujërave të Jonit.
Sipas të dhënave nga policia kufitare e qarkut të Vlorës varka ishte nisur nga Himara në drejtim të Vlorës, por fatkeqësisht ka mbetur në mes të detit rreth 2 milje larg vijës bregdetare në afërsi të Kepit të Gjuhëzës. Mësohet po ashtu se mungesa e karburantit dhe mungesa e lëndëve djegëse rezervë kanë rrezikuar jetën e 7 turistëve në këtë varkë.