Me 1 milion lekë të falte ushtrinë

TIRANË - Të rinjtë kavajas nuk kishin as “kishë e as xhami” tjetër ku të faleshin, nëse donin t’i shpëtonin shërbimit të detyrueshëm ushtarak, veçse “duke u falur” me 1 milion lekë të vjetra në dorë tek specialisti i Mobilizimit Ushtarak, Xhami Xeka. Provat dhe faktet se mund të ketë “shpëtuar” nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak dhjetëra të rinj kavajas, çuan drejt qelisë specialistin e Mobilizimit Ushtarak, 48-vjeçarin Xhami Xeka. Antikrimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit gjatë operacionit të koduar “Rekrutimi”, arrestoi për konsumimin e veprave penale të “korrupsionit pasiv”, “falsifikimit të dokumenteve” e “të shpërdorimit të detyrës” Xekën, lindur e banues në Hajdaraj të Kavajës. “Edhe pse arrestuam Xhami Xekën, kemi ende punë për të bërë dhe për të zbardhur me dhjetëra raste abuzimi, që dyshojmë se ai ka bërë duke shfrytëzuar postin”, - thanë dje për “Korrierin” burime të besueshme pranë grupit hetimor. Sipas të njëjtave burime, mësohet se për çdo rast i akuzuari merrte 100 mijë lekë të reja. Të ndihmuar edhe nga prokuroria e këtij qyteti, specialistët e Antikrimit Ekonomik-Financiar kanë punuar prej disa muajsh me përgjime telefonike, për të zbardhur mënyrën e veprimtarisë së paligjshme që realizohej nga 48-vjeçari. Pas këtyre përgjimeve, ka rezultuar se cilido i ri i këtij qyteti që nuk donte të kryente shërbimin ushtarak, por në dokumente ligjore të tregonte të kundërtën, i drejtohej specialistit të Zyrës së Rekrutimit e Mobilizimit në Repartin Ushtarak të Kavajës, dhe pasi i jepte atij shumën e përcaktuar nga vetë Xeka, që kryesisht ishte standarde, arrinte që të mënjanonte të gjithë problemet që mund të kishte për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Pjesë e veprimtarisë së tij të paligjshme kanë qenë lëshimi i vërtetimeve të rreme për persona të ndryshëm. Po sipas burimeve të grupit hetimor, mësohet se nga ana e tyre ka dyshime, që me dhjetëra raste të tjera mund të kenë qenë pjesë e “punës” së Xekës. Këto dyshime priten të vërtetohen nga hetimet e vazhdueshme, për lëshimin e vërtetimeve false. Ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje, shefi i rekrutimeve mësohet të ketë thënë se, gjatë punës së tij, nuk ka bërë asnjë veprimtari të paligjshme dhe se ai nuk ka abuzuar kurrë me detyrën që mbante prej një periudhe të gjatë kohore.