E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veten e fut nën dhê, të dashurin në pranga

Adoleshentja dashuronte një 35-vjeçar vlonjat, për të cilin familja dyshonte se do tua çonte vajzën si prostitutë

LUSHNJË – Nuk i la vetes shans të provonte se çfarë do t’i sillte pranvera e 18-të e të tjerat pas saj, Majlinda Duda. As dashuria e saj për një mashkull, dy herë më të madh se vetja në moshë dhe as dëshira e këmbëngulja e familjes për ta parë nuse me një tjetër dhëndër në krah, nuk ishin arsye të mjaftueshme që ajo të përballonte gjendjen e rende psikike në të cilën ndodhej dhe të mos ndërmerrte hapin fatal: të pinte fostoksinë. Dje ajo u përcoll për në banesën e fundit, por po dje në pranga u vu edhe i dashuri i 17-vjeçares, Sofokli Selmanaj, 35 vjeç, i cili veç akuzës për shtyrje drejt vetëvrasjes, do të përballet edhe me akuzën e vënies në përdorim të dokumenteve të falsifikuara. Majlinda Duda, 17 vjeçe, banuese në Divjakë të rrethit Lushnjë, është viktima më e fundit e helmit vdekjeprurës: fostoksinës. Ajo, pas një konflikti me familjarët e saj dy net më parë, ka vendosur që të vetësakrifikohet, duke konsumuar fostoksinë, gjë që i ka shkaktuar humbjen e jetës. Ajo që është zyrtarizuar nga policia, është se shkaktar sipas familjarëve të viktimës ka qenë i dashuri i saj, Sofokli Selmanaj, 35 vjeç, banues në qytetin e Vlorës. Nga të njëjtat burime policore mësohet se shkak për arrestimin e tij është bërë kallëzimi penal i prindërve të saj dhe pikërisht babait të vajzës, Aleksandërit, i cili ka deponuar në polici se vajza ndihej nën trysni nga i dashuri i saj herë pas here dhe se është bërë shpeshherë preh e dhunës së tij fizike dhe psikologjike. Nga burime policore, mësohet se dy ditë më parë familja Duda kishte debatuar me të dashurin e vajzës, Sofokli Selmanaj, për t’i dhënë fund lidhjes, si pasojë e keqtrajtimeve dhe dhunës psikologjike mbi 17-vjeçaren. Ndryshe paraqiten rrethanat dhe motivet nga banorë të Divjakës, të cilët janë shokuar nga ngjarja e dy ditëve më parë. Komshinjtë e familjes Duda si dhe të njohur të tyre kanë pohuar se vajza atë ditë kishte pasur një konflikt të ashpër me familjen e saj, konflikt që ka qenë prezent në këtë familje prej disa kohësh, qëkur ajo kishte informuar ata për lidhjen që kishte. Familja donte që ajo të hiqte dorë prej të dashurit të saj jo vetëm për diferencën e madhe të moshës që kishte me të, por duke i thënë gjithmonë se ai e donte për ta trafikuar atë jashtë shtetit. Vajza me këmbënguljen e saj vazhdonte të pretendonte dashurinë e saj, por nga ana tjetër, frika e ndonjë fenomeni të tillë e ka bërë atë të dyzuar. Ditën e enjte ajo ishte takuar me të dashurin, Sofokli Selmanaj, ku nga ana e familjes i ishte kërkuar ndarja, kërkesë kjo e pasuar me një sherr, ku janë përfshirë të gjithë të pranishmit. Ajo që dihet tashmë, është se në mbrëmje gjithçka ka marrë fund vetëm me ngjarjen tragjike, ku 17-vjeçarja ka gjetur prehje për situatën e saj tek fostoksina.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›