Policia i zë në fyt xhiron me Porche

TIRANË – Katër ditët e lejes nga burgu nuk mundi t’i shijojë i qetë i dënuari Gjergj Cukali. Policia kësaj here jo vetëm i zuri në grykë një xhiro të shumëdëshiruar lirie me një makinë luksoze, por kjo e fundit u bë “mollë sherri” edhe për hapjen e problemeve të një miku të Cukalit, që i kishte dhënë makinën tip “Porche” që të bënte xhiro. Një verifikim rutinë i një makine luksoze, nëse kishte apo jo dokumentacion të rregullt, ka çuar në zbulimin e një shkeljeje të rëndë dhe të një vepre penale. Agjentët e Antitrafiqeve teksa bllokuan dje në rrugën “Myslym Shyri” një automjet tip “Porsche Cayenne”, me targa të Kosovës, 5482-KS- 675, zbuluan se në timon ishte 29-vjeçari Gjergj Cukali. Ky i fundit, i cili po vuan dënimin prej 10 vitesh në burgun e Rrogozhinës për “rrëmbim personi”, pengmarrjen e bujshme të disa viteve më parë të Fatjon Demirlikës, po udhëtonte me makinë lirshëm në kryeqytet, pas marrjes së katër ditëve të lirimit nga burgu, brenda çdo norme ligjore. Dhe ka qenë pikërisht Cukali, ai që ka çuar në kapjen e mikut të tij, Erion Kosova, i cili i kishte dhënë makinën që dyshohet të jetë e trafikuar. Nderi i bërë Cukalit ka çuar në pranga për “trafikim të mjeteve motorike” 25-vjeçarin Kosova. Gjergj Cukali po vuan aktualisht dënimin në burgun e Rrogozhinës, pasi më 18 korrik të vitit 2004 ka marrë peng Demirlikën, vetëm disa metra larg Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ai njihet si “truri” i asaj çka mbeti nga banda e “Djemve të rrugës së Kavajës”. Këto ditë, pasi i ishte dhënë leje nga burgu, mesa duket i riu po “shijonte” ditët e lirisë së shkurtër, duke bërë xhiro me makinë luksoze, qejf i cili i ka zgjatur jo më shumë se disa minuta, kur agjentët e Antitrafikut i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, për të nisur aty të tjera peripeci të vogla me drejtësinë dhe ligjin. E.Elezi