E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 12 shkurt zgjidhet Avokati i Popullit

Prishtinë - Gjatë mbledhjes së sotme Kryesia e Kuvendit vendosi që në seancën e ardhshme më 12 shkurt të zgjidhet Avokati i Popullit dhe të diskutohet Rekomandimi i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi. Gjatë seancës në fjalë do të rishqyrtohet Ligji për Avokatinë, i kthyer nga Presidenti, si dhe Ligji për lirinë e asocimit në organizatat joqeveritare, sipas procedurës së veçantë, kurse për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim te konformitetit. Nëse, ndërkaq, arrin t'i amendamentojë me kohë komisioni funksional, do të nxirren për shqyrtim dhe miratim edhe Projektligji për ushqimin dhe Projektligji për vlerësimin strategjik mjedisor. Si pikë e fundit e fundit e rendit të ditës së kësaj seance është radhitur debati parlamentar për vendimin e Presidentit të Kosovës lidhur me zgjedhjet parlamentare (sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të AAK së). Në mbledhjen e sotme Kryesia ka shqyrtuar edhe kërkesën e Qeverisë për tërheqjen nga procedura parlamentare të Planit Hapësinor të Kosovës, si dhe Mocionin e gjashtë deputetëve lidhur me nismën për ndryshmin e Ligjit për Fondin Pensional të Kosovës nr.03/L 084. Kryesia ka vendosur që më 17 shkurt Kuvendi të mbajë seancë solemne në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë, si dhe ka shqyrtuar përgatitjet për këtë seancë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›