E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE diskuton sot rezolutën për Kosovën

Strasburg -Në Parlamentin Evropian pritet të diskutohet sot një rezolutë për Kosovën, e cila do të trajtojë çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovë. Parlamenti Evropian, gjatë mbledhjes në Strasburg, do të ftojë Këshillin e Ministrave dhe Komisionin Evropian të deklarohen rreth zhvillimeve në Kosovë – pas shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt të vitit të kaluar.
Kryeministri i Çekisë Mirel Topolek, vendi i të cilit është kryesuesit i radhës i Bashkimit Evropian, do të shprehë qëndrimin e unionit rreth kësaj çështje. Gjithashtu, një qëndrim do të mbajë edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. Diskutimet rreth projektrezolutës për Kosovën, e cila është hartuar nga deputeti holandez, Joost Langendijk, do të mbahen sot pasdite, ndërsa miratimi i saj mund të shtyhet për të enjten, nëse kërkohet më shumë kohë për diskutime.

Në një njoftim të Parlamentit Evropian theksohet se, tashmë në Kosovë, në një kornizë më të gjerë të Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, me mandat dyvjeçar, vepron misioni EULEX – i cili do të marrë fund atëherë kur pushteti në Kosovë të arrijë përvojën e mjaftueshme për të garantuar funksionimin e shtetit ligjor për gjithë shoqërinë. Po ashtu thuhet se, Presidenca çeke e BE-së do të përpiqet në maksimum për të arritur normalizimin gradual të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, e sidomos për pjesëmarrje bilaterale në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

Në projektrezolutë gjithashtu theksohet nevoja për ekzistimin e policisë multi-etnike në të gjitha pjesët e Kosovës – ndërsa i bëhet thirrje pushtetit në Kosovë të mbështesë përfshirjen e serishme të policëve serbë në Policinë e Kosovës. telegrafi/start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›