E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis funksionimin Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Prishtinë - Hapja e Zyrës Pranuese të Gjykatës Kushtetuese ka përmbyllur obligimin dhe përgjegjësitë që ka pasur Ministria e Shërbimeve Publike dhe Grupi Punues për themelimin e Gjykatës Kushtetuese. Ministri i MSHP-së, Arsim Bajrami, i cili sot ka përuruar këtë Zyrë, tha se me themelimin e Gjykatës Kushtetuese kushtetutshmëria bëhet kuptimplote dhe respektimi i Kushtetutës bëhet detyrim ligjor.

“Gjithë ata që marrin pjesë në ndërtimin e shtetit, do t'i nënshtrohen vendimeve të kësaj Gjykate, duke dhënë shembullin e një shoqërie e cila është e përkushtuar në respektimin e Kushtetutës dhe të ligjit”- tha me këtë rast ministri Bajrami, i cili ka udhëhequr punën e Grupit punues për themelimin e Gjykatës Kushtetuese. Në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të paditen personat, por mund të bëhen kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të organeve shtetërore të Kosovës, si dhe konteste të tjera kushtetuese.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës parashikon që Gjykata Kushtetuese të ketë nëntë gjyqtarë, prej të cilëve gjashtë do të jenë vendorë, në mesin e të cilëve do të përzgjidhet dhe kryetari, ndërkaq tre gjykatës të tjerë do të jenë ndërkombëtarë. Gjyqtarët që do të përzgjidhen duhet të jenë të përgatitur profesionalisht, duke shmangur çfarëdo funksioni publik që do të shkaktonte konflikt interesi. Edhe vendndodhja e ndërtesës ku do të funksionojë Gjykata Kushtetuese do të reflektojë pavarësi dhe paanshmëri në punën e saj. Si institucioni që jep fjalën e fundit për atë çfarë garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ajo do të ketë dyert e hapura për të gjithë ata që duan të mbrojnë të drejtat e tyre kushtetuese, atëherë kur kanë shterur të gjitha mundësitë tjera ligjore.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›