“Më 1983 Enveri kishte harruar që fshatarëve u kishim hequr bagëtitë”
Edhe pse drejtpërdrejtë nuk e pranon se Enver Hoxha në vitet e fundit të jetës, për shkak të sëmundjes, ishte rënduar mendërisht, tërthorazi Ramiz Alia pohon se Komandanti kishte nisur të mos ishte më ai i pari. Se kishte nisur të harronte shumë çështje thelbësore, si për shembull atë se fshatarëve u ishte ndaluar të mbanin në shtëpi qoftë edhe një qengj të vetëm, apo një derr. Njëkohësisht, sipas kujtimeve të Ramiz Alisë, të përmbledhura në librin e sapobotuar “Jeta ime”, Enver Hoxhës, të mbyllur në qerthullin shtëpi-zyrë dhe anasjellas, kishin nisur t’ia raportonin gjithçka të shtrembëruar, duke filluar që nga realizimi planeve, që në fakt nuk ishin realizuar, e të tjera të ngjashme. Deklarime që të çojnë në logjikën se Enver Hoxha në vitet e fundit të jetës, për shkak të sëmundjes, jo vetëm që kishte humbur kontrollin mbi shtetin, por edhe kishin nisur ta “vinin në lojë”, duke e mashtruar për shifrat e ekonomisë, apo eventualisht edhe për çështje të tjera. Fakti i pranuar nga Alia se Enveri kishte harruar që fshatarëve u ishte hequr mundësia të rrisnin qoftë edhe një bagëti të vetme për të siguruar ushqimin e tyre, nga çdo anë që ta marrësh në analizë, në çdo rast vërteton një gjendje anormale të shëndetit mendor të Komandantit. Sepse, si mund të harronte lideri komunist shqiptar thelbin e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit të tij komunist, që ndër të tjera, nga më të rëndësishmet apo më themeloret shtylla, që e mbanin në këmbë, kishte pasur pikërisht kolektivizimin e bujqësisë dhe të oborrit privat, pra, më troç, mbledhjen, marrjen nga fshatarët e të gjithë llojeve të bagëtive që ata posedonin? Si mund të harronte Enver Hoxha iniciativat, tufëzimin me tamtame dhe problemet e zgjatura ndër vite me ata që nuk pranonin të dorëzonin lopën apo dhinë e vetme? Harresa e tij, e parë në një tjetër këndvështrim, vërteton edhe fatkeqësinë e gjithë një populli gjatë kohës së komunizmit, një populli, varfëria ekstreme e të cilit dhe përpara së gjithash shuarja e urisë së përhershme për bukë, kishin mbetur në duar të kujtesës së atrofizuar të një diktatori. Për më keq akoma, sipas fakteve të sjella nga Ramiz Alia, në faqet e librit të tij të fundit, mund të shkohet edhe në përfundimin logjik se Enver Hoxha, në vitet e fundit të jetës, nuk reagonte më ndaj problemeve më të rëndësishme të vendit. Pasi përkundër, ai me të dëgjuar nga bashkëpunëtori i tij, apo me risjelljen në kujtesë të faktit se fshatarëve u ishte ndaluar të rrisnin qoftë një derr të vetëm apo një dele, ai sërish nuk reagoi për të urdhëruar ndonjë modifikim. Nga ana tjetër, ka shumë të ngjarë që në këtë periudhë askush nuk guxonte t’i thoshte të vërtetën Enver Hoxhës, se populli ishte pa bukë dhe se nuk ishte bërë mirë që atyre nuk u lejohej të rrisnin qoftë edhe një derr të vetëm. Sipas fakteve të sjella nga Alia, të njëjtët bashkëpunëtorë, përkundër rrëfimit të gjendjes së vërtetë, preferonin ta mashtronin, dhe kjo e fundit ka shumë të ngjarë që bëhej për një tjetër shkak, sërish të kultivuar nga vetë Enver Hoxha. Ka të ngjarë që bëhej për shkak të frikës së krijuar në psikozën e bashkëpunëtorëve pas ekzekutimeve apo spastrimeve të “armiqve” të shumtë në radhët e Partisë. Një frikë që kishte për bazë shembuj të shumtë ndëshkimi ekstrem në të shkuarën.
Ramiz Alia
...Nuk mund të mbyll këtë kapitull pa folur për vizitat që kam bërë në qershor të vitit 1983 në rrethet e veriut të Shqipërisë me cilësinë e Kryetarit të Shtetit... Nuk do të ndalem në të gjitha takimet, por nuk mund të kaloj pa përmendur një takim me njerëzit në Nikaj - Mërtur të Tropojës. Ishin mbledhur qindra njerëz, burra e gra, të gjithë ulur në një shesh të bukur. Pasi i përshëndeta, unë fillova të flas për gjendjen të përgjithësi, por e ndala fjalën duke iu thënë: “A nuk do të ishte më mirë që të flisni ju, të më tregoni si jetoni në fshatrat dhe shtëpitë tuaja, çfarë hallesh keni, etj?”
Natyrisht kjo gjë ua prishi “rregullin” shokëve drejtues të Partisë të rrethit të Tropojës që më shoqëronin. Në fillim, më tepër pyetën për ngjarjet e ndryshme, pastaj pak e nga pak filluan të tregojnë për problemet e hallet e tyre. Në këtë kohë ngrihet një burrë: “Me leje shoku Ramiz”, thirri nga mesi i sheshit. Vura re se menjëherë Sekretari i Partisë dhe ndonjë tjetër u shqetësuan. Me sa duket e njihnin këtë “tip”. Më thanë në vesh se e quajnë Dedë dhe është “llafazan”.
-Fol Dedë, ç’ka ke? – ia prita unë menjëherë. Të gjithë njerëzit heshtën për të dëgjuar Dedën. Ai foli:
-A nuk po na jep nga një derr për shtëpi, or shoku Ramiz, se këtu tek ne ban të ftohtë i madh e mishi i derrit na ban derman?
Njerëzit e dëgjuan, disa duke pritur çfarë do të them unë, të tjerë duke qeshur me të madhe, sepse e “njihnin” Dedën. Sekretari i Partisë dhe shokët e tij nxituar të më thonë “ja, e sheh, të thamë se cili është Deda”, demek llafazan. Por unë, rashë në hall. Ishte e qartë se atë që tha Deda e mendonin dhe e donin të gjithë. Pra që ne, Udhëheqja e Partisë, duke hequr bagëtinë nga oborri fshatar, kishim gabuar. Por për të ndrequr këtë gabim duhej të ndërhynte Byroja Politike dhe jo unë, një person. Për këtë arsye, për të dalë nga situata, gjeta një “shaka” dhe thashë:
-Mirë e ke ti or Dedë, unë të kuptoj, por ma qaj hallin mua. Nesër do të kem një takim në anë të Valbonës dhe atje do të më kërkojnë jo derr, por berr. E si të bëj unë? Kur për këtë lypset një vendim nga e gjithë Udhëheqja?...
...Duhet thënë se edhe Enver Hoxha nuk ishte plotësisht i informuar për zhvillimin real të jetës së vendit. E them këtë për dy arsye:
Së pari, sepse ai nga ana e komiteteve lokalë të Partisë, por edhe nga organet qendrore, nga ministritë dhe organizma të tjerë, shpesh nuk raportohej plotësisht realiteti ekonomik i vendit. Që nga kooperativat bujqësore, tek Komitetet Ekzekutivë apo ato të Partisë në rrethe, në të shumtën e rasteve raportohej jo ajo që ishte realizuar, por ajo që sipas planit duhej arritur. Në veçanti E. Hoxhës i thuheshin gjërat edhe më të rrumbullakosura. Bile me këtë mënyrë mjaft herë i raportonin Enverit edhe Kryeministri M. Shehu ose edhe Sekretarët e KQ, si H. Kapo ose H. Toska, të cilët merreshin me ekonominë.
Së dyti, Enver Hoxha kishte disa vjet që kryesisht për arsye të gjendjes shëndetësore ishte shkëputur nga “baza”, pra nga njohja së afërmi e jetës së fshatarëve dhe punëtorëve. Kam folur më sipër për bisedën që pata me Enverin në verën e vitit 1983, pas një vizite që kisha bërë në rrethet e Veriut. Kur unë i tregova se si një fshatar në një mbledhje në Lekbibaj kërkoi që Partia t’u jepte malësorëve nga një derr për shtëpi, Enveri u habit dhe më pyeti: “Pse kështu e kemi vendosur, që të heqim edhe një dele ose një derr nga familja kooperativiste?” Ai, duket se e kishte harruar vendimin për heqjen e bagëtive dhe të oborrit në kooperativa, por në të njëjtën kohë, dilte qartë se kur miratuam vendimin që çoi në heqjen e derrit e të deles, edhe ai ishte entuziazmuar si gjithë ne të tjerët nga raportet e zbukuruara që na servirte Qeveria dhe komitetet e Partisë në rrethet e ndryshme të vendit...
...Reformat demokratike në Shqipëri u bënë në dy periudha. Nga viti 1986 deri në vitin 1989, mund të quhet periudha e parë, ndërsa pas vitit 1989 nga koha kur ndodhi përmbysja në Evropën Lindore, deri në shpalljen e pluralizmit partiak, pra fundi i vitit 1990, mund të quhet periudha e dytë.
Në periudhën e parë, detyra kryesore ishte të kapërcenin vështirësitë në të cilat gjendej ekonomia. Për këtë qëllim u morën masa në dy drejtime. Së pari, të nxitej prodhimi në vend, që kërkonte përveç të tjerash edhe korrigjimin e disa gabimeve që ishin bërë në fushën ekonomike. Së dyti, të gjenim mundësi për të siguruar mbështetje ekonomike nga jashtë, gjë që mund të arrihej vetëm duke zgjeruar marrëdhëniet me botën e jashtme, pra duke hequr dorë nga “mbyllja”...
...Masat e para u morën lidhur me fshatin, me qëllim që të nxitej prodhimi në këtë sektor ku jetonte shumica e popullsisë dhe të lehtësohej furnizimi i njerëzve me produktet bujqësore e blegtorale. Në këtë drejtim u vendos që familjeve kooperativiste t’u ktheheshin oborri kooperativist dhe bagëtia personale, të cilat u ishin hequr shumë vite më parë. Edhe për këtë gjë u ndoq njëfarë gradualiteti: në fillim, si bagëtitë, ashtu edhe oborri, iu kthyen fshatarëve pjesërisht dhe pas dy vjetësh, plotësisht. Për të nxitur interesin e kooperativistëve për rritjen e prodhimit, u la i lirë tregu fshatar, i cili gjithashtu, më parë ishte i ndaluar nga privatët...
...Në vijim të masave për rritjen e prodhimit në vend u vendos që të inkurajoheshin punëtorët, duke nxitur interesin material të tyre nëpërmjet vetëfinancimit të ndërmarrjeve dhe pjesëmarrjes së punëtorëve në fitim. Kjo reformë që bënte pjesë në mekanizmin e ri ekonomik synonte të çlironte energjitë krijuese dhe të nxiste iniciativën e individëve dhe të kolektivave. Me këtë korrigjohej në njëfarë mënyre vija e ndjekur më parë, që në emër të barazisë shoqërore kishte kaluar në “barazitarizëm” mikroborgjez, i cili nuk justifikohej nga ana ekonomike, por u nxit më tepër nga konsiderata ideologjike.
Në fushën e ekonomisë, veçanërisht në fund të vitit 1989, u hodhën edhe disa hapa për privatizimin e artizanatit, të tregtisë dhe të shërbimeve...
Ramiz Alia më 2009: Enveri, i përgjegjshëm deri në fund
Në qershor të vitit të shkuar, Ramiz Alia reagoi pas një prononcimi të Kryeministrit Berisha në gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, sipas të cilit, Enver Hoxha, 15 vjetët e fundit të jetës nuk ishte i përgjegjshëm dhe se gjithçka në këto vite e drejtonte bashkëshortja e tij, Nexhmije Hoxha.
Sipas intervistës së Alisë, dhënë për gazetën “Panorama”, deklarimi i Berishës nuk ishte i saktë, “pasi Enver Hoxha ka qenë i përgjegjshëm deri në fund të jetës së tij”. Pikërisht ky version ende i freskët në kohë i Ramiz Alisë, për shëndetin mendor të Enver Hoxhës, përplaset në njëfarë mase me versionin e tij të sapopublikuar në librin me kujtime “Jeta ime”, ku përmenden “efekte të sëmundjes” së Enver Hoxhës. Më qëllim që lexuesi të formulojë një mendim të pandikuar, më poshtë po publikojmë të plotë intervistën e marrë në qershor 2009.
Zoti Alia, a mund të kemi një opinion tuajin lidhur me deklarimin e Kryeministrit Sali Berisha, bërë pak ditë më parë në një media të huaj, për momentin kur thoshte se Enver Hoxha nuk ishte i përgjegjshëm në 15 vitet e fundit të jetës së tij?
Po. Ishte një budallallëk i Kryeministrit Sali Berisha, një budallallëk me qëllim të lig. Enver Hoxha ka qenë i përgjegjshëm deri në ditën e fundit të jetës dhe kjo nuk është vetëm bindja ime. Habitem për këtë deklarim. Sali Berishës nuk i lejohet të flasë me këtë gjuhë, jo vetëm si politikan, për më keq akoma ai nuk duhet të flasë në mënyrë të tillë si mjek.
Pra, sipas bindjes suaj të palëkundur, Enver Hoxha ishte i përgjegjshëm deri në ditën e fundit të jetës?
Po, deri në ditën e fundit. Unë e kam takuar atë para vdekjes dhe nuk kam parë të ketë shfaqur probleme mendore.
Nëse mundemi, po ju sjellim në vëmendje se për shqiptarët janë shfaqur filmime të zhvillimeve të një plenumi, mos gaboj të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, ku Enver Hoxha duket qartë se ka probleme të humbjes së memories kur flet. Si do të ishte një përgjigje juaja?
Jam i bindur se Enveri ka qenë i përgjegjshëm deri në fund. Atë që ju thoni e kam vënë re dhe e kam ndjekur edhe unë në televizor, por ato janë lapsuse të rëndomta. Enveri në atë mbledhje ka bërë disa lapsuse, që nuk kanë lidhje aspak me probleme mendore. Ishin lapsuse prej moshës së madhe. Lapsuse bëjmë të gjithë...
Thatë se e keni takuar Enver Hoxhën para vdekjes. Sa ditë më parë ka ndodhur dhe si ju duk ai?
Duhet ta kem takuar tri apo katër ditë më parë. Ishte krejt normal në gjykim. Kujtoj se kemi folur gjatë për punët e shtetit të asaj kohe. Për të gjitha çështjet më të rëndësishme.
Mund të kujtoni diçka konkrete nga biseda e zhvilluar?
Jo, nuk më kujtohet, por ishin gjëra të zakonshme, pra biseda nuk kishte ndonjë gjë ndryshe në përmbajtje nga bisedat që kishim pasur më parë për punët e shtetit. Për një gjë jam i sigurt, për sport nuk folëm, pasi ai nuk interesohej shumë për këtë temë, ndërsa unë po. Unë merresha me sport...
Pra, nuk keni bërë ndonjë bisedë që t’ju linte të kuptonit se ai ishte duke ikur nga kjo botë?
Jo, absolutisht. Ai nuk e dinte se do të vdiste. Ai nuk e priste vdekjen, përndryshe edhe biseda mes nesh do të kishte pasur tjetër përmbajtje. Por ne folëm për çështjet e vjetra. Për problemet e zakonshme të vendit. Asgjë më tepër.
Përfundimisht, ju jeni i mendimit se Enver Hoxha ka vdekur pa paraqitur në asnjë rast probleme mendore?
Shumë i qartë jam. Gjatë gjithë jetës së vet, ai nuk ka paraqitur në asnjë rast probleme mendore. Ka pasur raste kur ka qenë i sëmurë, ose shumë i sëmurë, kur ka kaluar infarkte. Natyrisht që në këto ditë nuk kemi komunikuar, pasi nuk të lejonin edhe mjekët, por me t’u bërë mirë, ai vazhdonte jetën me sjellje krejt normale.
Përgatiti materialet: Ferdinand Dervishi