Me 2 qershor, vendimi i Europës për heqjen e vizave
Shefi i diplomacisë italiane konfirmoi dje në Tiranë se s’kishte më shtyrje e dilema dhe se vendimi për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që posedojnë pasaporta biometrike do të merret me 2 qershor, në samitin e Sarajevës. Vlerësimi u dha gjatë takimeve që ministri italian Fratini pati me Kryeministrin Sali Berisha dhe Zëvendëskryeministrin Ilir Meta
Ministri i Jashtëm i Italisë dhe një nga diplomatët më të suksesshëm të BE Franco Frattini, ka shprehur edhe njëherë konfirmimin, për finalizimin me sukses të aspiratës integruese të Shqipërisë, por njëherazi ka konsideruar si absurde sabotimin që i kanë bërë disa forca politike bashkëpunimit në procesin e reformave, jetike këto për liberalizimin e vizave dhe afrimin e vendit me Unionin. Frattini takoi edhe ministrin e Jashtëm shqiptar, Ilir Meta të cilit i konfirmoi vendimin për liberalizimin e vizave brenda datës 2 qershor, gjatë Samitit të Sarajevës. Të dy vendet u zotuan për një bashkëpunim të ndërsjellë mes tyre, duke nisur nga jetësimi i projekteve të përbashkëta në fushën e prodhimit të energjisë nukleare, eolike, të biomasës, hidrike dhe ndërtimin e korridorit 8-ë, projekt për të cilin kanë ngjallur interes dhe vende të tjera të rajonit.
TIRANë- Ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini, bën thirrje për një angazhim të përbashkët të të gjitha forcave politike, për të realizuar me sukses aspiratat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha, pas një takimi të realizuar mes tyre, Frattini deklaroi se asnjë forcë politike nuk duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për të mos bashkëpunuar në proceset e integrimit të Shqipërisë.
“Ramë dakord me kryeministrin Berisha se gjithë forcat politike duhet të punojnë së bashku për aspiratat integruese të Shqipërisë në BE. Asnjë forcë politike shqiptare nuk duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për të mos bashkëpunuar në këto momente për integrimin e Shqipërisë”, u shpreh Frattini.
Ai deklaroi se për Shqipërinë synimi politik është i dyfishtë.
“Synojmë të arrijmë përfitimin e statusit kandidat për Shqipërinë brenda vitit dhe vendimin për heqjen e vizave brenda verës. Por për integrimin e Shqipërisë duhet bashkëpunim i forcave politike”, tha Frattini.
Kryediplomati italian, deklaroi më tej se Italia synon të thellojë bashkëpunimin dypalësh në fusha edhe më të gjëra, duke specifikuar kështu, vënien në jetë të projekteve për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe ndërtimin e korridorit 8.
“Ishte e frytshme biseda për zhvillimin e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe të energjisë bërthamore. Do punojmë bashkë për të nxitur edhe Korridorin 8”, tha Frattini.
Ndërsa, nga ana e tij, kryeministri Berisha vuri në dukje se marrëdhëniet Shqipëri-Itali janë të shkëlqyera. Në këtë aspekt, shefi i qeverisë shqiptare, falënderoi ministrin Frattini për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë.
“Gjatë takimit mora mbështetjen e plotë të mikut tim dhe mikut të gjithë shqiptarëve, ministrit Franco Frattini, për liberalizimi i vizave. E risigurova ministrin Frattini, se ky proces, është një proces i bazuar tërësisht mbi meritën sepse ky është në interesin jetësor të vendit tim. Mund të them se ky princip, ka shërbyer, në të mirën e qytetarëve shqiptarë, që sot zotërojnë kartat e identitetit, ndër më të avancuarat, në Evropë. Që sot kufijtë e tyre kontrollohen me teknologjitë më të avancuara evropiane, si vende të tjera anëtarë të BE.
Ministri Frattini ka qenë një avokat i madh, si zëvendëspresident i Komisionit Evropian, i jam shumë mirënjohës që sot është një avokat i madh, në arenën politike evropiane.
Shefi i ekzekutivit, foli edhe për energjinë bërthamore duke deklaruar se do përgatisë Shqipërinë që të përfitojë në këtë fushë”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë vlerësoi së tepërmi investimet italiane në vendin tonë, ndërsa konsideroi të një rëndësie të veçantë jetësimin e projektit të prodhimit të energjisë së rinovueshme.
“Diskutuam me Ministrin Frattini edhe për bashkëpunimin në fushën e energjisë nukleare. Dua të përshëndes takimin e fundit midis kryeministrit italian Silvio Berlusconit dhe Presidentit francez Nikolas Sarkozy për ridimensionimin e kësaj fushe të energjisë. Për këtë kemi vendosur të përgatisim vendin, për të përfituar në këtë fushë. Marrëdhëniet janë të shkëlqyera. Falënderova ambasadorin Saaba D’Elia, Ambasadën dhe Institutin Italian të Kulturës dhe Tregtisë së Jashtme”, deklaroi më tej, kryeministri Berisha.