Më 26 shtator socialistët zgjedhin kryetarin e ri
Më 26 shtator, anëtarët socialistë do u drejtohen kutive të votimit për të vendosur se cili do të jetë kryetari i ri i kësaj partie mes tre kandidaturave, Edi Rama, kryetarit në detyrë dhe një prej figurave më me rëndësi në historinë e saj, Maqo Lakrori. Vendimi është marrë nga Kongresi i jashtëzakonshëm dhe zgjedhjet do të zhvillohen me parimin "një anëtar, një votë". Por të drejtën për të votuar e ka çdo mbështetës i Partisë Socialiste që është anëtarësuar deri dje. Sanksionimet janë parashikuar në Kodin Zgjedhor të Partisë Socialiste, në pjesën e tretë të tij, në nenin 14. Në të thuhet se lista e zgjedhësve përgatitet nga KZP dhe përfshin anëtarët e partisë të regjistruar si të tillë deri në datën kur merret vendimi nga organi përkatës i PSSH-së për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të PSSH-së. Asambletë Socialiste në rrethe dhe bashki dërgojnë në KZP listat e zgjedhësve të firmosura nga kryetari dhe sekretari organizativ dhe në formë elektronike jo më vonë se dhjetë ditë nga data e vendimit për zhvillimin e zgjedhjeve. Pika dy e këtij neni parashikon se lista e zgjedhësve përgatitet mbi bazën e çdo vendvotimi dhe përmban emrin, atësinë dhe mbiemrin e anëtarit të PS-së, numrin e dokumentit të anëtarësisë, emërtimin e OS-së, kolonën në të cilët vendoset nënshkrimi i votuesit, si edhe numrin me të dhëna të tjera që identifikojnë vendvotimin dhe rrethin e bashkinë përkatëse. Sakaq, deri në datën 10 shtator duhet të shpallet lista. Pika tre e nenit 14 vëren se lista e zgjedhësve shpallet në vendvotimet përkatëse 10 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe çdo kandidat ka të drejtë të ketë një kopje të të gjithë listës. Anëtarët e PS-së dhe kandidatët konkurrues kanë të drejtë të kërkojnë në KZP korrigjimin e gabimeve ose heqjen e emrave nga lista e zgjedhësve deri 15 ditë para datës së zgjedhjeve. E njëjta praktikë është ndjekur edhe në zgjedhjet e 22 majit të 2007-ës, kur kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u zgjodh për herë të parë me parimin "një anëtar, një votë". Zgjedhjet i shpalli Kongresi i 9 prillit i po këtij viti dhe të drejtën e votimit e patën të gjithë ata që ishin anëtarësuar deri në datën 9 prill. Brenda partisë funksionon komisioni i zgjedhjeve, i cili menjëherë pas vendimit të Kongresit nis përgatitjet e procesit zgjedhor, duke ngritur komisionet e posaçme dhe duke marrë informacion nga baza mbi numrin e anëtarësisë etj.