Votimi i hapur, paketa "Blushi" rrëzohet vetëm me 31 vota "pro"
Kongresi i Partisë Socialiste vendosi dje të mos fuste në rendin e ditës së diskutimeve të tij platformën që parashikonte ndryshime në statut. Ajo mori vetëm 31 vota "pro" nga votimi i hapur në sallën me rreth 1500 delegatë, edhe pse u deklarua se mbështetej nga mbi 300 delegatë. Menjëherë pasi PS-ja prezantoi një dokumentar me shkeljet që janë vërejtur në zgjedhjet e 28 qershorit, nisi diskutimi për rendin e ditës. Ben Blushi, emrin e të cilit mbante edhe kjo platformë, kërkoi para gjithë delegatëve që platforma të përfshihej në rendin e ditës dhe delegatët, sipas tij, me votën e fshehtë të vendosnin nëse do të kalonin këto propozime dhe statuti të ndryshohej sipas tyre. Një tjetër kërkesë e Ben Blushit dhe grupit të tij ishte transparenca. Ai kërkoi që të ishte e pranishme media gjatë çdo momenti të zhvillimeve të këtij Kongresi. Kërkesat u refuzuan të dyja. Burime nga Kongresi bënë të ditur se anëtari i Kryesisë dhe deputeti Namik Dokle ka kundërshtuar idenë e përfshirjes se platformës me ndryshime në statut në këtë Kongres. Burimet thanë se Dokle është shprehur se nuk është momenti që të flitet për to. Ai vuri në dukje se më parë duhet të ketë një grup pune që do i diskutojë, të njihet baza me to dhe më pas të zhvillohet një tjetër kongres për miratimin e tyre. Me kaq duket se mori fund beteja në Kongresin e jashtëzakonshëm për platformën "Blushi", ndërsa në një reagim të pak minutave të vonë Blushi u shpreh se PS-ja sapo kishte humbur një shans të madh. Platforma "Blushi" në tërësi synonte ndryshime rrënjësore të statutit të PS-së, por qëllimi kryesor i saj ishte minimizimi i kompetencave të kryetarit të partisë, si dhe disa sanksione në rastin kur ai humbet zgjedhjet. Kështu, një prej pikave parashikonte që kryetari i partisë jep menjëherë dorëheqjen në rastin kur humbet zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk ka të drejtë rikandidimi, pasi është përgjegjës për to. Një tjetër pikë parashikonte që kryetari duhet domosdosmërisht të jetë në krye të listës së ekipit të kandidatëve për deputetë në rastin e garave zgjedhore. Një synim lidhej me strukturat, kryesisht aty ku fjalën kryesore e ka baza e PS-së, siç është Kongresi. Platforma parashikonte që kongresi t‘i japë miratimin e fundit listës së kandidatëve, duke kërkuar që ai të mblidhet para zgjedhjeve, referuar faktit se para këtyre zgjedhjeve nuk u mblodh kongresi elektoral i Partisë Socialiste. Gjithashtu kërkohej reformim në mënyrën se si është organizuar PS-ja e fshatit dhe PS-ja e qytetit. Platforma u kundërshtua nga shumica e delegatëve, edhe pse grupi i Blushit deklaroi se kishin me vete 300 delegatë. Pro kësaj platforme u shpreh edhe ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, si edhe mjaft ish-deputetë të kësaj partie.