E Diel, 1 Nëntor 2026

Kongresi miraton rezolutën "Rama": Nuk i njohim zgjedhjet

Kongresi i jashtëzakonshëm miratoi dje rezolutën e paraqitur në Asamblenë Kombëtare për sa i përket qëndrimit të kësaj partie për zgjedhjet e 28 qershorit. Në këtë mënyrë, socialistët i konsiderojnë zgjedhjet të papranueshme dhe synimi është shkaktimi i zgjedhjeve të parakohshme. Në këtë rezolutë thuhet se çdo produkt i këtyre zgjedhjeve është me legjitimitet të cunguar dhe zgjedhjet e parakohshme janë objektiv i imponuar për t‘i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandat legjitim qeverisë. Në pikën e katërt të rezolutës së firmosur nga kreu i Partisë Socialiste dhe mbështetësit e tij, thuhet se "PS-ja distancohet nga çdo rrugë për t‘i imponuar asaj dhe opozitës miratimin pa kushte të një rezultati zgjedhor që nuk shpreh vullnetin e lirë të popullit". Ndërsa në pikën e pestë sqarohet qëndrimi se Partia Socialiste nuk do të bojkotojë punimet e Kuvendit. PS-ja është e palëkundur për të bërë deri në fund transparencë të procesit me gjithë instrumentet ligjore dhe kushtetuese. Miratimi i rezolutës erdhi si rezultat i një diskutimi të gjerë të mjaft prej figurave kryesore të Partisë Socialiste pro dhe kundër kësaj rezolute, ose pikëpamjeve të ndryshme mbi zgjedhjet. Rezoluta u miratua më parë në Asamblenë Kombëtare të selisë rozë. Në të u paraqit edhe një tjetër rezolutë po nga grupi i Ben Blushi, ku kërkohej që PS-ja duhet të pranonte humbjen në zgjedhjet e përgjithshme dhe të hyhej në Parlament. Rezoluta që u paraqit nga Rama kaloi me shumicë votash dhe në këtë mënyrë përcakton aksionin e ri opozitar me nisjen e sesionit parlamentar. Veç kësaj, socialistët kanë bërë të ditur më parë se do të kërkojnë edhe një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›