E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi: Zgjedhjet na i vodhën

Gara për kryetarin, Arben Malaj

të hënën deklaron tërheqjen

Vetëm pak orë pasi ka shpallur platformën për kreun e ri të Partisë Socialiste duket se Arben Malaj ka bërë zgjedhjen për të mos garuar. Burimet konfidenciale shumë pranë tij deklaruan për "Shqip" se Malaj pritet të deklarojë tërheqjen ditën e hënë përmes një komunikimi me mediat. Sipas burimeve, ajo çka i ka vënë kapakun gjithçkaje, kishte të bënte me fjalimin e kreut në detyrë Edi Rama. Ky i fundit ka lënë një shije jo të mirë te kandidatët rivalë, që mendojnë se "Rama i trajton konkurrentët si armiq politikë". Një tjetër arsye mendohet se ka të bëjë me faktin se gjatë gjithë fjalimit të tij, Rama nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi, për faktin se partia dhe socialistët ndodhen sërish në opozitë edhe për një tjetër katërvjeçar. Më herët, në punimet e Kongresit, deputeti i Vlorës, që synonte të drejtonte Partinë Socialiste, theksoi se "të preferuarit individualë nuk mund të bëjnë karrierë të përshpejtuar në bazë të preferencave të udhëheqësve tanë në kurriz të socialistëve që kanë vite që përkushtohen". Sipas tij, dera e PS-së do të jetë e hapur për të gjithë të rinjtë që kanë ambicie, dritaret duhet të mbyllen për të paaftët që e konsiderojnë PS-në si trampolinë të përfitimeve abuzive. Malaj theksoi se "ne nuk na duhen gra apo të rinj që duan kryetarin e radhës, por gra dhe të rinj që duan Partinë Socialiste, që duan Shqipërinë dhe që janë të gatshëm të kontribuojnë në prosperitetin e kombit tonë vital". Ai theksoi se shqiptarët kanë nevojë për një ekzekutiv që mirëqeveris dhe jo për një qeveri që komandohet nga interesa klanore. "Bindja ime e patundur është se shqiptarët nuk meritojnë të qeverisen më nga Berisha, por nga një qeveri që mirëqeveris. Këtë lloj qeverisjeje duhet ta ofrojnë socialistët. Ne duam një qeveri të përgjegjshme dhe jo të mashtrimeve, një qeveri që orientohet sipas interesave të qytetarëve dhe jo të një familjeje që ka kapur shtetin tonë", tha Malaj. "Unë kandidoj vetëm nëse do të ketë një proces të garantuar dhe një konkurrim midis kolegëve e jo midis kundërshtarëve dhe askush nuk keqpërdor pushtetin partiak dhe administrativ. Unë besoj te vlerat socialiste, te shpirti socialist, besoj te ju se të bashkuar do ta mundim Sali Berishën", u shpreh Malaj. Ai shtoi se "disa nga ne pretendojnë se zgjedhjet na i vodhën. Disa pretendojnë se zgjedhjet nuk u fituan. Ndërsa disa të tjerë mendojnë se zgjedhjet u humbën". Ai dha si përgjigje se "ne jemi në opozitë dhe nga ky pozicion ju ftoj të reflektojmë për t‘u kthyer sa më shpejt të jetë e mundur në lokomotivën e politikës dhe shoqërisë shqiptare. Në PSSH nuk do ketë kurrë të ndëshkuar, ky është modeli i ri që ju ofroj". Malaj kërkoi bashkimin e së majtës, duke thënë se "ne na duhet bashkimi i të gjitha forcave të majta, mbështetur në vlera dhe parimet e socialistëve europianë". Malaj premtoi se nëse vjen në pushtet, PS-ja do të sjellë një qeverisje më të mirë, do të përmirësojë situatën ekonomike në vend dhe do të rrisë rendin dhe sigurinë. Ai insistoi se e majta në Shqipëri ka një të ardhme të shkëlqyer dhe kërkon ekipe për t‘i vënë në realitet projektet e PS-së. "Misioni im është të ndërtojmë një Parti Socialiste të hapur për të gjithë socialistët dhe progresistët, por që ofron shpresë dhe mirëqenie për të gjithë shqiptarët. Misioni ynë është të ndërtojmë një alternativë qeverisëse që u risjell

shqiptarëve begatinë, barazinë e shanseve, mbrojtjen sociale, shtetin e së drejtës, rendin, sigurinë dhe paqen", tha Malaj.

Rivali

Maqo Lakrori shpall

kandidaturën për kryetar

Pjesës së garës për kreun e Partisë Socialiste i bashkohet edhe Maqo Lakrori, i cili do të jetë përballë Edi Ramës dhe Arben Malajt. Anëtari i Asamblesë Parlamentare të PS-së, Maqo Lakrori, gjatë fjalimit ku paraqiti platformën e tij në Kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së, ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të partisë më të madhe opozitare. Gjatë fjalës së tij, Lakrori premtoi ndryshime në radhët e Partisë Socialiste, si edhe angazhimin e tij për bashkimin e së majtës. "Propozoj ndryshime në reformimin e Partisë Socialiste. Duhet të ndahemi nga kulti i individit, e majta duhet të bashkohet", ka deklaruar Lakrori. Më tej, ai ka shtuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë një domosdoshmëri për vendin. Ndërkohë, Kongresi ka miratuar me shumicë votash rezolutën për mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Kandidati surprizë në këtë Kongres, Maqo Lakrori, premtoi ndryshime në parti, që do të bënin të mundur udhëheqjen kolegjiale. Maqo Lakrori shpalli zyrtarisht kandidaturën në garën për kreun e partisë. Ai paraqiti para delegatëve platformën për drejtimin e PS-së në katër vitet e ardhshme, ndërsa vuri theksin në nevojën për bashkimin e së majtës dhe kthimin e solidaritetit brenda radhëve të Partisë Socialiste. Kongresi i socialistëve hapi garën për 3 kandidatët për kryetar partie, Edi Ramën, Arben Malajn dhe Maqo Lakrorin, të cilët do të garojnë më 26 shtator.

Kritikët

Malaj, i pari që

shpalli kandidaturën

Anëtari i Kryesisë, Arben Malaj, ishte i pari që zyrtarizoi kandidaturën e tij për postin e kreut të partisë, duke e shoqëruar edhe me një platformë konkrete. Menjëherë pas mbledhjes së Asamblesë dhe vendimit të saj për të zhvilluar Kongresin, Malaj nisi nga puna për hartimin e platformës, me të cilën, sipas tij, do paraqitej tek elektorati socialist. Pas Malajt, edhe Edi Rama, kryetari socialist në detyrë, zyrtarizoi kandidaturën e tij. Platforma e Arben Malajt synonte të krijonte më shumë hapësira në vendimmarrjen e strukturave të partisë, minimizimin e kompetencave të kryetarit të partisë, krijimin e një ekipi ku ka një punë të përbashkët dhe të mos krijohej një lider absolut. Gjatë kësaj kohe ai kërkoi që Rama të mos rikandidojë, pasi një lider absolut, sipas tij, mban edhe përgjegjësi absolute. Disa ditë para se të zhvillohej Kongresi, ai iu bashkua grupit që mbështeste ndryshimet në statutin e Partisë Socialiste, si dhe ishte një prej nismëtarëve të mbledhjes së Kryesisë së javës që kaloi, ku u diskutua pikërisht për platformën "Blushi" dhe transparencën e Kongresit të jashtëzakonshëm.

Procedura

Brenda tri ditësh zyrtarizohen kandidatët. Anëtarësia do të shprehet me "një anëtar, një votë"

Më 26 shtator socialistët zgjedhin kryetarin e ri

Më 26 shtator, anëtarët socialistë do u drejtohen kutive të votimit për të vendosur se cili do të jetë kryetari i ri i kësaj partie mes tre kandidaturave, Edi Rama, kryetarit në detyrë dhe një prej figurave më me rëndësi në historinë e saj, Maqo Lakrori. Vendimi është marrë nga Kongresi i jashtëzakonshëm dhe zgjedhjet do të zhvillohen me parimin "një anëtar, një votë". Por të drejtën për të votuar e ka çdo mbështetës i Partisë Socialiste që është anëtarësuar deri dje. Sanksionimet janë parashikuar në Kodin Zgjedhor të Partisë Socialiste, në pjesën e tretë të tij, në nenin 14. Në të thuhet se lista e zgjedhësve përgatitet nga KZP dhe përfshin anëtarët e partisë të regjistruar si të tillë deri në datën kur merret vendimi nga organi përkatës i PSSH-së për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar të PSSH-së. Asambletë Socialiste në rrethe dhe bashki dërgojnë në KZP listat e zgjedhësve të firmosura nga kryetari dhe sekretari organizativ dhe në formë elektronike jo më vonë se dhjetë ditë nga data e vendimit për zhvillimin e zgjedhjeve. Pika dy e këtij neni parashikon se lista e zgjedhësve përgatitet mbi bazën e çdo vendvotimi dhe përmban emrin, atësinë dhe mbiemrin e anëtarit të PS-së, numrin e dokumentit të anëtarësisë, emërtimin e OS-së, kolonën në të cilët vendoset nënshkrimi i votuesit, si edhe numrin me të dhëna të tjera që identifikojnë vendvotimin dhe rrethin e bashkinë përkatëse. Sakaq, deri në datën 10 shtator duhet të shpallet lista. Pika tre e nenit 14 vëren se lista e zgjedhësve shpallet në vendvotimet përkatëse 10 ditë para ditës së zgjedhjeve dhe çdo kandidat ka të drejtë të ketë një kopje të të gjithë listës. Anëtarët e PS-së dhe kandidatët konkurrues kanë të drejtë të kërkojnë në KZP korrigjimin e gabimeve ose heqjen e emrave nga lista e zgjedhësve deri 15 ditë para datës së zgjedhjeve. E njëjta praktikë është ndjekur edhe në zgjedhjet e 22 majit të 2007-ës, kur kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, u zgjodh për herë të parë me parimin "një anëtar, një votë". Zgjedhjet i shpalli Kongresi i 9 prillit i po këtij viti dhe të drejtën e votimit e patën të gjithë ata që ishin anëtarësuar deri në datën 9 prill. Brenda partisë funksionon komisioni i zgjedhjeve, i cili menjëherë pas vendimit të Kongresit nis përgatitjet e procesit zgjedhor, duke ngritur komisionet e posaçme dhe duke marrë informacion nga baza mbi numrin e anëtarësisë etj.

Kreu i Partisë Socialiste denoncon Berishën, Metën dhe Nanon për zgjedhjet

Rama: Beteja ime, jo për të mbajtur karrigen

Edi Rama zyrtarizoi rikandidimin për postin e kreut socialist në Kongresin e jashtëzakonshëm, duke konfirmuar se beteja e tij nuk mori fund më 28 qershor. Përkundrazi, ai do të vijojë të shfaqet para elektoratit socialist, me të njëjtin projekt që, sipas tij, krimi elektoral nuk i dha mundësi të zbatohej. Pa pranuar asnjë përgjegjësi për faktin që PS-ja vijon sërish të jetë në opozitë, duke akuzuar tërësisht Sali Berishën se ka cenuar zgjedhjet dhe ka vjedhur votat, por edhe ish-bashkëpunëtorin e tij Ilir Meta, Rama përvijoi bindjen se projekti i tij nuk ka humbur, por është cenuar rezultati. "Sali Berisha i grabiti votat e nevojshme për të ricikluar zvarrë-zvarrë dhe në fund fare vetëm e vetëm falë bashkëpunimit me Ilir Metën pushtetin e tij të korruptuar e korruptues. Ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, e fituam garën me Sali Berishën dhe Partinë Demokratike", u shpreh Rama. Sipas tij, me gjithë krimin elektoral, Kryeministri i fundit komunist i këtij vendi nuk e nxori dot të parën partinë e tij. "Ne dolëm partia e parë në një betejë tërësisht të pabarabartë, jo të lirë dhe jo të ndershme", deklaroi Rama. Javën e ardhshme, tha Rama, do t‘i dorëzoj zyrtarisht e publikisht Presidentit të Republikës dokumentacionin tronditës të këtij bashkëpunimi mes qeverisë së vendit dhe skalionit elektoral të kriminelëve aleatë të kësaj qeverie. Duke folur për LSI-në, ai tha se "është koha për të hapur kapitullin e bashkimit me LSI-në. Por me LSI-në e opozitarëve, jo me LSI-në e tahmaqarëve. Me Lëvizjen Socialiste për Integrim të Pëllumb Xhufit, Sabit Brokajt, Ndre Legisit, Fatos Klosit e Mustafa Muçit, e të mijëra të tjerëve si ata në opozitë me Sali Berishën". Ai pranoi se PS-ja është mundur, por jo nga forca politike e kundërshtarit, por nga shteti i transformuar në një makinë kriminale elektorale. "Megjithatë, ata nuk i morën dot votat e shumicës së popullit. Shumica e zgjedhësve shqiptarë të 28 qershorit, populli opozitar i Shqipërisë, votoi për largimin e Sali Berishës nga pushteti. Dhe me gjithë deformimin e rëndë të procesit e të rezultatit në favor të tij, Sali Berisha nuk do të bëhej dot më kurrë Kryeministër sikur Ilir Meta të mos bënte horrllëkun që ne e paralajmëruam kohë më parë", vijoi Rama. Ai tha se beson që kjo është e vërteta dhe kjo është arsyeja përse ai u kërkon delegatëve të pranojnë kandidaturën e tij për të udhëhequr PS-në. Rama shigjetoi edhe kundërshtarët e tij brenda në parti, duke i akuzuar se më shumë janë marrë me standardet e PS-së se sa me standardet e zgjedhjeve. Ai bëri të qartë se detyrat e tij nuk lidhen me faktin se do të mbrojë postin e tij, por sepse duhet mbrojtur demokracia e atdheut. "Nuk jam këtu për të mbrojtur veten, sepse asnjë interes i imi që nuk është dhe i të gjithëve ju nuk më ka nxjerrë sot këtu përpara dhe nuk mjafton për të më mbajtur në këtë betejë, ku s‘kam kursyer asgjë nga vetja në katër vjet të vështira e ku s‘mund të kursej asnjëherë zemrën, mendjen e kohën time", tha ai. Rama shtoi se "po i falëm këto zgjedhje, ne kemi dorëzuar në duart e Sali Berishës e të një pushteti të zhytur në korrupsion e horrllëk vetë liritë dhe të drejtat e njerëzve që votuan në shumicë largimin e Sali Berishës. Që nuk do të ndalet më përpara asgjëje dhe do ta kthejë përfundimisht qeverisjen në një ushtrim ekskluziv për të ricikluar e pasuruar pa limit vetveten". Ai kërkoi që socialistët të bashkohen për të dhënë një shembull të ri. "Ne duhet të jemi bashkë jo për të menduar të gjithë njësoj, po për të dhënë padyshim të gjithë bashkë një shembull tjetër, të ri e krejt të ndryshëm nga ai me të cilin Sali Berisha, Fatos Nano e Ilir Meta kanë shkatërruar", vijoi Rama. Ai këmbënguli se beteja e tij nuk është për të mbajtur karrigen e kryetarit të partisë, por sepse dëshiron të luftojë bashkë me popullin opozitar.

Blushi: Edi Rama kishte frikë

t‘i dilte Berishës përballë

"Gabohet kush priste nga ne që ta detyronim kryetarin të kandidonte me zor"

"Sot, Partia Socialiste ka nevojë ta shohë të vërtetën në sy". Me këtë ide është shfaqur dje para delegatëve anëtari i Kryesisë së selisë rozë, Ben Blushi. "Unë besoj se edhe nëse votat na janë vjedhur ne kemi përgjegjësi, sepse mbi të gjitha u premtuam shqiptarëve se do t‘i mbronim votat e tyre. Ky ishte premtimi ynë solemn, të cilin me sa duket nuk e mbajtëm dot", u shpreh Blushi. Dikush, vijoi Blushi, ka thënë se komisionerët tanë u shitën. "Unë ju pyes. Kush prej nesh u shit? Dikush ka thënë se komisionerët tanë dhe numëruesit ishin të paaftë. Unë ju pyes kush prej nesh ishte i paaftë? Dikush ka thënë se komisionerët tanë numëruan gabim votat tona? Unë ju pyes kush i numëroi gabim. Dikush ka thënë se kutitë u ndryshuan? Unë ju pyes cilat kuti dhe kush prej nesh kishte detyrimin t‘i mbronte ato?" - shtroi pyetjet Blushi. Sipas tij, nëse nuk nxjerrim sot emra dhe përgjegjës, atëherë do të hyjmë në betejat e tjera, duke ruajtur veten nga shokët dhe kolegët tanë që mund të përsërisin të njëjtën gjë. Në këtë rast do të jemi të humbur dhe të pashpresë në pafundësi. "Të akuzosh të tjerët për të fshehur një problem, do të thotë të shtosh edhe një problem të ri. Dhe unë mendoj se ne po i shtojmë Partisë Socialiste një problem të ri. Duke dashur të mbrojmë një njeri që nuk pranon të vërtetën, po hedhim baltë mbi Partinë Socialiste", nënvizoi Blushi. Në vlerësimin e tij, bojkoti i Kuvendit do të ishte shkatërrues, ndërsa i qëndron deri në fund këtij vendimi që nuk beson se mund të ndryshojë më, pavarësisht nga kapriçioja e dikujt që mendon se Parlamenti nuk ka pse ekziston, për sa kohë që nuk është vetë atje. Një prej shkaqeve të rezultatit, tha Blushi, ka të bëjë me dobësinë e koalicionit tonë dhe për këtë nuk mund t‘ua vëmë gishtin as komisionerëve dhe as numëruesve. "Kush i premtoi Partisë Socialiste se do ta bashkonte të majtën në vitin 2005. Ky njeri nuk ishte as komisioner dhe as numërues, por ishte kryetari i Partisë Socialiste", u shpreh Blushi. Duke iu referuar Ramës, Blushi tha se ai rrëzoi për shkaqe të dobëta të gjitha urat që bashkonin të majtën, duke ia bërë të pamundur Partisë Socialiste të kapërcente hendekun e votave që e ndante nga e djathta. "Programin fitues e mori përsipër kryetari, i cili takoi popullin për dy vjet rresht, duke premtuar të hidhte në letër të gjitha mendimet dhe nevojat e tij. Unë ju pyes sot ku është ky program? A ka ekzistuar ky program dhe nëse po kush e ka?" - u shpreh Blushi. Ne kishim fjalë, vijoi ai, por nuk kishim program. "Dhe a e dini pse? Sepse Edi Rama tha se programi quhet Edi Rama. Por me sa duket Shqipëria nuk donte një njeri, por një parti. Ne i thamë Shqipërisë që nuk do qeverisesh as nga një parti, as nga një program, as nga një ideologji, por nga një njeri", nënvizoi Blushi. Ai tha se edhe ata që duan ta mbrojnë me çdo kusht Edi Ramën, beson se nuk ia falin dot, që në emër të PS-së, në emër të ndryshimit nuk doli në debat publik me Sali Berishën. "Nëse më pyesni, unë mendoj se ai kishte frikë. Votuesit e kuptuan se Sali Berisha nuk mund të mundej duke dalë çdo ditë te dera e partisë, por vetëm ballë për ballë. Edi Rama nuk e bëri këtë dhe frikën e tij e quajti politikë e re", theksoi Blushi.

Nuk u pranua të përfshihej në rendin e ditës së Kongresit

Votimi i hapur, paketa

"Blushi" rrëzohet

vetëm me 31 vota "pro"

Replika midis Namik Dokles dhe Ben Blushit

Kongresi i Partisë Socialiste vendosi dje të mos fuste në rendin e ditës së diskutimeve të tij platformën që parashikonte ndryshime në statut. Ajo mori vetëm 31 vota "pro" nga votimi i hapur në sallën me rreth 1500 delegatë, edhe pse u deklarua se mbështetej nga mbi 300 delegatë. Menjëherë pasi PS-ja prezantoi një dokumentar me shkeljet që janë vërejtur në zgjedhjet e 28 qershorit, nisi diskutimi për rendin e ditës. Ben Blushi, emrin e të cilit mbante edhe kjo platformë, kërkoi para gjithë delegatëve që platforma të përfshihej në rendin e ditës dhe delegatët, sipas tij, me votën e fshehtë të vendosnin nëse do të kalonin këto propozime dhe statuti të ndryshohej sipas tyre. Një tjetër kërkesë e Ben Blushit dhe grupit të tij ishte transparenca. Ai kërkoi që të ishte e pranishme media gjatë çdo momenti të zhvillimeve të këtij Kongresi. Kërkesat u refuzuan të dyja. Burime nga Kongresi bënë të ditur se anëtari i Kryesisë dhe deputeti Namik Dokle ka kundërshtuar idenë e përfshirjes se platformës me ndryshime në statut në këtë Kongres. Burimet thanë se Dokle është shprehur se nuk është momenti që të flitet për to. Ai vuri në dukje se më parë duhet të ketë një grup pune që do i diskutojë, të njihet baza me to dhe më pas të zhvillohet një tjetër kongres për miratimin e tyre. Me kaq duket se mori fund beteja në Kongresin e jashtëzakonshëm për platformën "Blushi", ndërsa në një reagim të pak minutave të vonë Blushi u shpreh se PS-ja sapo kishte humbur një shans të madh. Platforma "Blushi" në tërësi synonte ndryshime rrënjësore të statutit të PS-së, por qëllimi kryesor i saj ishte minimizimi i kompetencave të kryetarit të partisë, si dhe disa sanksione në rastin kur ai humbet zgjedhjet. Kështu, një prej pikave parashikonte që kryetari i partisë jep menjëherë dorëheqjen në rastin kur humbet zgjedhjet e përgjithshme dhe nuk ka të drejtë rikandidimi, pasi është përgjegjës për to. Një tjetër pikë parashikonte që kryetari duhet domosdosmërisht të jetë në krye të listës së ekipit të kandidatëve për deputetë në rastin e garave zgjedhore. Një synim lidhej me strukturat, kryesisht aty ku fjalën kryesore e ka baza e PS-së, siç është Kongresi. Platforma parashikonte që kongresi t‘i japë miratimin e fundit listës së kandidatëve, duke kërkuar që ai të mblidhet para zgjedhjeve, referuar faktit se para këtyre zgjedhjeve nuk u mblodh kongresi elektoral i Partisë Socialiste. Gjithashtu kërkohej reformim në mënyrën se si është organizuar PS-ja e fshatit dhe PS-ja e qytetit. Platforma u kundërshtua nga shumica e delegatëve, edhe pse grupi i Blushit deklaroi se kishin me vete 300 delegatë. Pro kësaj platforme u shpreh edhe ish-presidenti i Republikës, Rexhep Meidani, si edhe mjaft ish-deputetë të kësaj partie.

Dade

"Kolegët që sot akuzojnë,

më parë kanë heshtur"

Deputetja e PS-së, Arta Dade, shpërndan përgjegjësinë e humbjes së zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke hedhur poshtë akuzat e Ben Blushit dhe Arben Malajt, ajo theksoi se nuk ka kuptim që të hidhen kaq shumë akuza sot, kur të njëjtët kolegë dje kanë heshtur dhe nuk reaguan. "Fushata ka pasur edhe ikona të tjera. Pra ka pasur një diferencim edhe nga ato personalitete të PS-së që kanë marrë vendime bashkë me Ramën. Projekti politik i Ramës nuk ka qenë i dështuar dhe ne do ta vazhdojmë. Secili nga ne ka shumë për të përmirësuar, sepse një parti serioze shikon vend për përmirësime edhe kur fiton", tha Dade. Sipas saj, në këtë kongres duhet të ketë një debat parimor, që do t‘i shërbente përmirësimit të punës së mëtejshme të partisë. Deputetja socialiste u shpreh se ndalimi i mediave gjatë punimeve të kongresit ndodh sepse çështjet organizative të partisë nuk janë të hapura për publikun.

Majko

"PS-ja ka përgjegjësitë e veta,

por zgjedhjet u vodhën"

Ne u morëm më shumë me atë që donim të ndalonim, se sa me atë që donim të ofronim. Ne duhet të ishim më të qartë". Kështu është shprehur deputeti i PS-së, Pandeli Majko, i cili ka pranuar që PS-ja ka bërë gabime gjatë fushatës së saj elektorale dhe se Partia Socialiste po i shqyrton të gjitha shkaqet për humbjen në zgjedhjet e 28 qershorit. "Edi Rama është një kryetar me pesë yje dhe zgjedhjet u humbën vetëm për shkak të Berishës. Nuk është kjo mënyra se si po zhvillohet Kongresi. Ne po shqyrtojmë mundësinë që humbja të ketë ardhur nga diçka e jashtme, por edhe nga probleme të brendshme", tha Majko. "Mendoj se do të isha i pasinqertë po të thosha se gjithë kjo histori do të varej nga ndryshimi i Edi Ramës. Mendoj se duke e parë vetëm kështu do të ishim në një situatë të vështirë. Ne nuk i shikojmë të gjitha historitë në një krah dhe besoj se në këtë mënyrë duhet parë. Mendoj se duhen ndryshuar shumë më tepër se sa mënyrat e të vepruarit të një kryetari", ka nënvizuar Majko.

Socialistët paraqesin para delegatëve

raportin: Si na i vodhën zgjedhjet

Delegatët e Kongresit u njohën edhe me të dhënat që ka mbledhur Partia Socialiste për të gjitha shkeljet që janë vërejtur gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit dhe sa kanë arritur ta cenojnë rezultatin. Fokusi i socialistëve në këtë raport është përqendruar te të burgosurit që, sipas saj, janë liruar nga qeveria dhe më pas kanë bashkëpunuar me pushtetarët në fushatë.

Në hyrje të këtij raporti thuhet se ai bazohet mbi monitorimin e realizuar nga strukturat e Partisë Socialiste dhe aktorë të medias, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare, mbi procesin zgjedhor në Shqipëri. "Raporti është përmbledhje e fenomeneve që paraprinë dhe shoqëruan procesin zgjedhor në Shqipëri, të cilat deformuan vullnetin e qytetarëve shqiptarë, duke mos përmbushur standardet ndërkombëtare të kërkuara për një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant për në Bashkimin Europian", thuhet në hyrje të këtij raporti. Raporti është i ndarë në disa etapa, para ditës së zgjedhjeve, ditën e zgjedhjeve dhe pas saj.

Selia rozë thotë se përmes disa informacioneve të siguruara në rrugë konfidenciale, vetëm për datat 12, 15, 16 dhe 17 qershor tregojnë për një rritje të ndjeshme të lejeve të dhëna për të dënuarit gjatë periudhës zgjedhore, shumica e të cilave janë në kundërshtim të hapur me ligjin. Përmes këtyre lejeve, të burgosurit janë bërë pjesë e fushatës në favor të qeverisë apo kanë shërbyer për të riaktivizuar lidhjet kriminale në mbështetje të fushatës proqeveritare. Madje, PS-ja ka dhënë edhe emra të dënuarish, të cilëve u është dhënë leje. "Kryeministri Berisha dhe Kryetarja e Kuvendit, Topalli, përmes një retorike konfliktuale dhe sjelljesh arbitrare, kanë tensionuar klimën politike, duke arritur kulmin gjatë fushatës zgjedhore. Lidershipi politik i mazhorancës ka hedhur një sërë akuzash dhe shpifjesh mbi jetën private për opozitën në tërësi dhe veçanërisht mbi drejtuesit politikë të PS-së", thuhet në raport. Njëkohësisht përmendet edhe vrasja e deputetit Fatmir Xhindi, duke theksuar se edhe pse kanë kaluar më shumë se 2 muaj nga ky ekzekutim, ende nuk ka asnjë të arrestuar për këtë krim të rëndë. "Partia Socialiste vlerëson se kjo vrasje përmban kontekst tërësisht politik dhe ka ndodhur për shkak të detyrës që mbante deputeti i opozitës", vijon raporti.

Theksi i veçantë vihet edhe për sjelljen e qeverisë dhe mënyrës se si është përdorur administrata publike, e cila, sipas raportit, u vu në dispozicion të fushatës elektorale të Kryeministrit dhe të Kryetares së Kuvendit. Socialistët kanë shprehur shqetësime edhe për procesin e votimit. "Hapja e qendrave të votimit dhe administrimi i procesit zgjedhor. Në shumë qendra votimi dhoma e fshehtë është vendosur në mënyrë të atillë që nuk siguronte fshehtësinë e votës", thuhet në raport, ndërsa theksohet se në shumë qendra u evidentua kontrolli i votës së zgjedhësve në disa mënyra si me deklarimin e votës të anëtarit të komisionit të PD-së, që qëndronte pranë dhomës së fshehtë. Shumë fletë votimi përmbanin emrin ose firmën e votuesit, duke e bërë atë të pavlefshme. Plotësimi i fletës së votimit pa hyrë në dhomën e fshehtë, ose tregimi i saj pas plotësimit dhe më pas palosja. Bërja e fletëve të pavlefshme nga ana e komisionerëve të PD-së, në rastet kur votuesit njiheshin si simpatizantë të PS-së etj.

Mbështetja

Provat filmike

munguan në Kongres

Edhe pse ishin paralajmëruar se në Kongresin socialist do të

shfaqeshin me prova filmike shkeljet e procesit zgjedhor të 28 qershorit, Partia Socialiste paraqiti vetëm një raport në PDF me të dhëna që, sipas saj, i cenuan rëndë standardet e zgjedhjeve. Megjithëse socialistët thonë se bëhet fjalë vetëm për një të dhjetën e raportit që ata kanë përpiluar nga shkeljet që kanë mbledhur dhe që tashmë u është dërguar ndërkombëtarëve. Raporti është përpiluar nga selia rozë dhe është bazuar te dëshmitë e vetë komisionerëve apo vëzhguesve socialistë në zgjedhje, por edhe në denoncime që kanë bërë vetë qytetarët falë numrave të telefonit që selia rozë vuri në dispozicion të tyre. Kryesisht, socialistët përqendrohen te të burgosurit që, sipas saj, janë liruar para zgjedhjeve dhe kanë ndihmuar pushtetarët gjatë fushatës elektorale. Ndaj, sipas tyre, Berisha ka bashkëpunuar me kriminelët për të marrë pushtetin.

Izolimi

Kongresi i "blinduar",

dhunohet kameramani

i "Top Channel"

Partia Socialiste është treguar shumë e vendosur për ta zhvilluar kongresin me dyer të mbyllura. Këtë e ka dëshmuar personeli i sigurisë që organizatorët e Kongresit kanë përzgjedhur për të siguruar rendin dhe qetësinë brenda e jashtë sallës. Dhe kameramani i "Top Medias", Eno Cucllari, është përballur pikërisht me një nga njerëzit e sigurisë së Kongresit socialist, për të cilin ka mundur të mësojë se quhet Adrian. Ndërsa ka qenë në mjediset e hollit të Pallatit të Kongreseve duke filmuar sallën e delegatëve, në kohën kur organizatorët nuk kishin vendosur ende t‘i mbyllnin dyert për mediat, punonjësi i sigurisë së PS-së ka penguar kameramanin të filmojë dhe më pas e ka qëlluar me grushte dhe ka ushtruar dhunë duke e nxjerrë me forcë jashtë. Organizatorët e Kongresit fillimisht thanë se ai nuk ishte punonjës i tyre, edhe pse dhunuesi i kameramanit ishte pajisur pikërisht me fletëhyrjen e Partisë Socialiste. Edhe gazetarët e gazetave komunikuan me zëdhënësen e Kryesisë, Mimi Kodheli, e cila dy ditë më parë deklaroi se Kongresi ishte pjesërisht i hapur dhe me kreun e Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi. Që të dy thanë se nuk kishin ç‘të bënin dhe se ky ishte vendimi i marrë. Sakaq, socialistët iu rikthyen dje Pallatit të Kongreseve, fiks 61 ditë pas zgjedhjeve të 28 qershorit për të bërë bilancin e për të vendosur për të ardhmen. Delegatët nga i gjithë vendi u nisën drejt derës kryesore që të lejon të hysh te holli i Pallatit të famshëm të Kongreseve, duke shtyrë njëri-tjetrin nga padurimi. Në hyrje qëndronin dy persona që verifikonin mandatin e delegatëve përmes një ftese që u është dhënë paraprakisht, duke u treguar po kaq të vëmendshëm për të verifikuar edhe hyrjen e gazetarëve. Mes kabllove të kamerave dhe kamerave të televizioneve, holli u mbush shumë shpejt nga delegatë e drejtues të selisë rozë, të mbuluar nga një tym cigareje që pihej mjaft dhe nga rrezet e forta të diellit të paradites. Ishte mjaft e thjeshtë që të dalloje ndarjen e grupeve. Kjo jo mes delegatëve, por më së shumti mes drejtuesve. Ben Blushi, Arben Malaj e Rexhep Meidani mbërritën së bashku në holl për të shkuar më pas drejt sallës së brendshme, ndërsa me pak vonesë, atëherë kur në holl qarkullonin vetëm gazetarët që nuk lejoheshin të hynin në sallë, mbërriti kryetari i PS-së. Ai u ndal pak për të takuar disa njerëz, mes tyre edhe disa gazetarë dhe më pas hyri edhe ai. Një orë më vonë, tymi i cigares filloi të ngrihej sërish, ndërsa platforma "Blushi" nuk arriti dot të bëhej pjesë e rendit të ditës së Kongresit. Pas kësaj të gjithë pjesëtarët e grupit Blushi dolën në holl duke lajmëruar për mediat se platforma nuk mundi të shkonte më tej, ndërsa brenda vijonin diskutimet. Platforma duket se ndau edhe delegatët. Deklarimi i Namik Dokles se platforma duhej diskutuar në një tjetër moment dukej versioni më i pranueshëm, po aq sa disa të tjerë mendonin se rrëzimi i saj ishte gjëja e duhur. Në holl u shfaq edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë në momentin kur brenda saj fliste Ben Blushi për zgjedhjet. Rama vijoi të takonte delegatë të thjeshtë, bashkëpunëtorë të tjerë dhe herë pas here bisedat e tij shkëputeshin nga telefonata në celular. Pas dreke, lodhja dhe vapa e uli interesin për zhvillimet brenda në sallë dhe delegatët iu drejtuan restoranteve pranë Pallatit të Kongreseve për të drekuar. Ideja e përfshirjes së tyre në rendin e ditës mori vetëm 31 vota pro nga 1500 delegatë që ishin të pranishëm.

Qëndrimi

Socialistët: Qeveria ka një legjitimitet të cunguar

Kongresi miraton rezolutën

"Rama": Nuk i njohim zgjedhjet

Kongresi i jashtëzakonshëm miratoi dje rezolutën e paraqitur në Asamblenë Kombëtare për sa i përket qëndrimit të kësaj partie për zgjedhjet e 28 qershorit. Në këtë mënyrë, socialistët i konsiderojnë zgjedhjet të papranueshme dhe synimi është shkaktimi i zgjedhjeve të parakohshme. Në këtë rezolutë thuhet se çdo produkt i këtyre zgjedhjeve është me legjitimitet të cunguar dhe zgjedhjet e parakohshme janë objektiv i imponuar për t‘i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandat legjitim qeverisë. Në pikën e katërt të rezolutës së firmosur nga kreu i Partisë Socialiste dhe mbështetësit e tij, thuhet se "PS-ja distancohet nga çdo rrugë për t‘i imponuar asaj dhe opozitës miratimin pa kushte të një rezultati zgjedhor që nuk shpreh vullnetin e lirë të popullit". Ndërsa në pikën e pestë sqarohet qëndrimi se Partia Socialiste nuk do të bojkotojë punimet e Kuvendit. PS-ja është e palëkundur për të bërë deri në fund transparencë të procesit me gjithë instrumentet ligjore dhe kushtetuese. Miratimi i rezolutës erdhi si rezultat i një diskutimi të gjerë të mjaft prej figurave kryesore të Partisë Socialiste pro dhe kundër kësaj rezolute, ose pikëpamjeve të ndryshme mbi zgjedhjet. Rezoluta u miratua më parë në Asamblenë Kombëtare të selisë rozë. Në të u paraqit edhe një tjetër rezolutë po nga grupi i Ben Blushi, ku kërkohej që PS-ja duhet të pranonte humbjen në zgjedhjet e përgjithshme dhe të hyhej në Parlament. Rezoluta që u paraqit nga Rama kaloi me shumicë votash dhe në këtë mënyrë përcakton aksionin e ri opozitar me nisjen e sesionit parlamentar. Veç kësaj, socialistët kanë bërë të ditur më parë se do të kërkojnë edhe një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›