Blushi: Edi Rama kishte frikë t‘i dilte Berishës përballë
"Sot, Partia Socialiste ka nevojë ta shohë të vërtetën në sy". Me këtë ide është shfaqur dje para delegatëve anëtari i Kryesisë së selisë rozë, Ben Blushi. "Unë besoj se edhe nëse votat na janë vjedhur ne kemi përgjegjësi, sepse mbi të gjitha u premtuam shqiptarëve se do t‘i mbronim votat e tyre. Ky ishte premtimi ynë solemn, të cilin me sa duket nuk e mbajtëm dot", u shpreh Blushi. Dikush, vijoi Blushi, ka thënë se komisionerët tanë u shitën. "Unë ju pyes. Kush prej nesh u shit? Dikush ka thënë se komisionerët tanë dhe numëruesit ishin të paaftë. Unë ju pyes kush prej nesh ishte i paaftë? Dikush ka thënë se komisionerët tanë numëruan gabim votat tona? Unë ju pyes kush i numëroi gabim. Dikush ka thënë se kutitë u ndryshuan? Unë ju pyes cilat kuti dhe kush prej nesh kishte detyrimin t‘i mbronte ato?" - shtroi pyetjet Blushi. Sipas tij, nëse nuk nxjerrim sot emra dhe përgjegjës, atëherë do të hyjmë në betejat e tjera, duke ruajtur veten nga shokët dhe kolegët tanë që mund të përsërisin të njëjtën gjë. Në këtë rast do të jemi të humbur dhe të pashpresë në pafundësi. "Të akuzosh të tjerët për të fshehur një problem, do të thotë të shtosh edhe një problem të ri. Dhe unë mendoj se ne po i shtojmë Partisë Socialiste një problem të ri. Duke dashur të mbrojmë një njeri që nuk pranon të vërtetën, po hedhim baltë mbi Partinë Socialiste", nënvizoi Blushi. Në vlerësimin e tij, bojkoti i Kuvendit do të ishte shkatërrues, ndërsa i qëndron deri në fund këtij vendimi që nuk beson se mund të ndryshojë më, pavarësisht nga kapriçioja e dikujt që mendon se Parlamenti nuk ka pse ekziston, për sa kohë që nuk është vetë atje. Një prej shkaqeve të rezultatit, tha Blushi, ka të bëjë me dobësinë e koalicionit tonë dhe për këtë nuk mund t‘ua vëmë gishtin as komisionerëve dhe as numëruesve. "Kush i premtoi Partisë Socialiste se do ta bashkonte të majtën në vitin 2005. Ky njeri nuk ishte as komisioner dhe as numërues, por ishte kryetari i Partisë Socialiste", u shpreh Blushi. Duke iu referuar Ramës, Blushi tha se ai rrëzoi për shkaqe të dobëta të gjitha urat që bashkonin të majtën, duke ia bërë të pamundur Partisë Socialiste të kapërcente hendekun e votave që e ndante nga e djathta. "Programin fitues e mori përsipër kryetari, i cili takoi popullin për dy vjet rresht, duke premtuar të hidhte në letër të gjitha mendimet dhe nevojat e tij. Unë ju pyes sot ku është ky program? A ka ekzistuar ky program dhe nëse po kush e ka?" - u shpreh Blushi. Ne kishim fjalë, vijoi ai, por nuk kishim program. "Dhe a e dini pse? Sepse Edi Rama tha se programi quhet Edi Rama. Por me sa duket Shqipëria nuk donte një njeri, por një parti. Ne i thamë Shqipërisë që nuk do qeverisesh as nga një parti, as nga një program, as nga një ideologji, por nga një njeri", nënvizoi Blushi. Ai tha se edhe ata që duan ta mbrojnë me çdo kusht Edi Ramën, beson se nuk ia falin dot, që në emër të PS-së, në emër të ndryshimit nuk doli në debat publik me Sali Berishën. "Nëse më pyesni, unë mendoj se ai kishte frikë. Votuesit e kuptuan se Sali Berisha nuk mund të mundej duke dalë çdo ditë te dera e partisë, por vetëm ballë për ballë. Edi Rama nuk e bëri këtë dhe frikën e tij e quajti politikë e re", theksoi Blushi.