E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasen automjetet, vdesin tre persona

Dy aksidente të rëndë me pasojë vdekjen e tre personave kanë ndodhur dje pasdite, në akset nacionale Pukë-Shkodër dhe atë Fier-Lushnje. Në aksidentin e parë janë përfshirë një motor me targa të Shkodrës, ku udhëtonin dy persona dhe një automjet tip "Benz". Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të vdekur dy personat që ndodheshin në motor: drejtuesi i motorit 19-vjeçari Gëzim Gjinaj dhe Viktor Ndoci, 32 vjeç. Viktimat, që të dy nga fshati Paçram i Shkodrës, po udhëtonin për në drejtim të qytetit të Shkodrës në momentin kur janë aksidentuar. Ndërkohë policia ka shoqëruar në polici drejtuesin e automjetit tip "Benz", shtetasin Adem Mehja. Aksidenti i dytë ka ndodhur dje, në orën 19:10, në afërsi të kthesës së Libofshës, në fshatin Vajkan të Komunës Mbrostar, 3 kilometra larg nga qendra e Fierit. Një automjet i tonazhit të rëndë me targa të Fierit është përplasur me një "Mitsubishi", me targa të Tiranës. Përplasja ka qenë fatale dhe për pasojë drejtuesit e mjeteve janë plagosur rëndë dhe mësohet se një prej tyre ka humbur jetën në spital, ku dhe janë transportuar. Viktima është Bujar Rizvani, 44 vjeç nga Fermë Çlirimi. Mësohet se për shumë vite ai ka qenë president i klubit të futbollit Çlirimi, ekip i kategorisë së dytë. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes pohon se shkak ka qenë shpejtësia me të cilën udhëtonte drejtuesi i mjetit me targa të Tiranës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›